AKK: Nuk ka lëshime teknike në rastin e Arta Rama-Hajrizit dhe Xhavit Halitit

Agjencia Kundër Korrupcionit (AKK) me anë të një komunikate është deklaruar lidhur me formularët e deklarimit të pasurisë për ish kryetaren e gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizaj dhe atë të deputetit Xhavit Haliti.

Në njoftim thuhet se, lidhur me pasurinë e Arta Rama-Hajrizi, formulari i dorëzuar në agjenci është identik me të dhënat e publikuara dhe se nuk është bërë lëshim sa i përket publikimit.

“Sa i përket publikimit të deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë publik znj. Arta Rama-Hajrizi, formulari i deklarimit të pasurisë së dorëzuar në Agjenci është identik me të dhënat e publikuara në ueb faqen zyrtare të Agjencisë, e që nënkupton se Agjencia nuk ka bërë kurrfarë lëshimi sa i përket publikimit të të dhënave të deklaruara nga subjekti në fjalë”, thuhet në njoftim.

Kurse, për formularin e pasurisë së Xhavit Halitit, i cili dje deklaroi se i është ngatërruar pasuria me ish-deputetin Xhavit Ukaj, agjencia i ka lënë fajin mediave të cilat e kanë publikuar lajmin para se të merrej informata.

“Sa i përket deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë publik z. Xhavit Haliti, nuk ekziston asnjë lëshim apo gabim nga ana e Agjencisë sa i përket ngatërrimit të të dhënave të deklaruara të zyrtarit në fjalë me ndonjë zyrtarë tjetër”, thuhet në njoftim.

“Në rastin konkret, deklarimi i pasurisë për zyrtarin e lartë z. Haliti ende nuk ka qenë publik në kohën kur është publikuar lajmi në media lidhur me të dhënat e zyrtarit, pasi që regjistri i deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë z. Xhavit Haliti është publikuar në orën 10:59 datë 29.01.2021, ndërsa lajmi në media është publikuar në mëngjesin e të njëjtës datë. Kjo nënkupton se regjistri i deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë z. Haliti, është bërë publik pas pranimit të informatës”, thonë nga AKK.

Agjencia kundër Korrupsionit me datën 21.06.2021 ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë për të gjithë zyrtarët e lartë publik në pajtim me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë.