Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

AKK konfirmon se pati shkelje nga ish-rektori UP-së në rastin e emërimit të Drejtorit të Zyrës Ligjore

Në janar të vitit 2022 Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kishte marrë vendim që Esat Kelmendi të mos jetë më në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm.

Në më pak se dy javë, ish rektori Naser Sahiti kishte emëruar Esat Kelmendin në pozitën e Drejtorit të Zyrës Ligjore.

Për këtë vendim, Agjencia Kundër Korrupsionit ka dhënë opinion se “Emërimi i tillë është në kundërshtim me dispozitën e nenit 18, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1. të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i cili te kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike, ka përcaktuar se:

– 1.Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë:

– 1.1 të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2)vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitën udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre”.

Edhe në çështjet të cilat Këshilli Drejtues i UP-së ka adresuar më 21 tetor 2022 për performancën e menaxhmentit të lartë të UP-së thuhej se “Vendosja e si Drejtor të Zyrës Ligjore Ish-Sekretarin pas pushimit të mandatit tek pozita jashtë ligjshëm pasi që pozita e njëjtë në më shumë se 4 vite nuk ka pasur Drejtor”.

Me vendim të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është shkarkuar Naser Sahiti nga pozita e rektorit.

KALLXO.com ka raportuar se UP-ja që nga fundi i vitit 2017 e deri më 28 janar të këtij viti, ka qenë pa drejtor të zyrës ligjore.

Kjo pozitë ishte paraparë në vitin 2017, në bazë të rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të Universitetit, por që nuk ishte emëruar asnjëherë ndonjë drejtor.

Kjo pozitë u ‘gjallërua’ këtë vit më emërimin e ish-sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi nga ana e ish rektorit, Naser Sahiti më 28 janar të këtij viti.

KALLXO.com kishte raportuar se ish rektori, Naser Sahiti, në tetor të vitit 2021 kishte emëruar si ushtrues detyre sekretarin e këtij universiteti, Esat Kelmendi, pa e njoftuar zyrtarisht Këshillin Drejtues të UP-së.

Kelmendit i kishte skaduar mandati më 25 tetor 2021 dhe ish rektori në mënyrë që kjo pozitë të mos mbetet vakanate e emëroi si U.D. Esat Kelmendin.

(DOKUMENT) Rangimi i ulët i UP-së dhe mbyllja për stafin e ri, disa nga arsyet për inicimin e shkarkimit të rektorit