
Akil Gjakova në Grand Slam Paris 2025, më 01.02.2025, Foto: KOK/Facebook
Akil Gjakova synon të artën në Paris, Distria e Nora të bronztën
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka njoftuar se xhudistët nga Kosova, Akil Gjakova, Nora Gjakova e Distria Krasniqi janë duke shkëlqyer në Grand Slamin e Xhudos që po mbahet në Paris.
Sipas njoftimit të KOK-ut të datës 01.02.3035, xhudisti Akil Gjakova me katër fitore ka arritur në finale të kategorisë -73kg. Ai ka mposhtur xhudistin italian, Manuel Lombardo dhe ka siguruar finalen.
“Tani, Akili do të përballet në finale me Shakhram Ahadov nga Uzbekistani. Një hap larg medaljes së artë – suksese Akil!” – ka uruar Federata e Xhudos në Facebook.
Kurse, Distria Krasniqi do të luftojë për të bronztën në kategorinë -52kg.
Një tjetër xhudiste nga Spanja, Cristina Cabana Perez u mposht nga një xhudiste e Kosovës – Nora Gjakova. Gjakova tashmë do të luftojë për medaljen e bronztë, por në kategorinë e re për të, atë -63 kg. ]
KOK njofton se ndeshjet për medalje do të zhvillohen më 01.02.2025 prej orës 17:00.
KOK kishte njoftuar më 31.01.2025 se pas gjashtë muajsh, ekipi olimpik i xhudos rikthehet në gara dhe pikërisht në qytetin e Parisit, ku së fundi, në Lojërat Olimpike u stolisën me dy medalje.
Përveç Akil e Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqit, në Paris kanë shkuar të garojnë edhe Erza Muminoviq në kategorinë -52 kg dhe Dardan Cena.
Xhudistja Distria Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 52 kilogramë në Lojërat Olimpike të Parisit në vitin 2024, ndërsa Laura Fazliu e fitoi medaljen e bronztë në debutimin e saj.
Kosova e shënoi debutimin në vitin 2016 në Olimpiadën e Rios në Brazil dhe prej atëherë i ka fituar pesë medalje olimpike, tri të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë, që të gjitha në xhudo.