Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Foto: AKI

AKI ka shpallur konkurs për punëtorë në 12 kategori

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka shpallur konkurs për punëtorë në 12 kategori, me orar të plotë dhe kohëzgjatje të kontratës të pacaktuar.

Konkursi është shpallur për këto kategori: inteligjencë, siguri të teknologjisë informative dhe rrjeta, programim, mbështetje të teknologjisë informative, kibernetikë, auditim financiar, auditim të performancës, auditim të teknologjisë informative, auditim të pajtueshmërisë, auditim të brendshëm, siguri fizike dhe higjienë.

Për secilën nga këto kategori, AKI ka renditur kualifikimet dhe kriteret e kërkuara. Ndërsa, të gjithë kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e përgjithshme për punësim në AKI si në vazhdim.

Kushtet e përgjithshme për punësim në AKI janë: kandidatët duhet të jenë shtetas të Kosovës, të jenë mbi 18-vjeç, të kenë kualifikimet e duhura arsimore dhe profesionale, ndaj tyre të mos jetë marrë masa e përjashtimit ose e largimit nga puna në AKI apo institucionet e tjera me natyrë të ngjashme dhe kalim me sukses të procedurave të rekrutimit.

Sipas konkursit të AKI-së, kandidatët për punësim në këtë institucion do t’i nënshtrohen procedurës së ekzaminimit mjekësor, verifikimit të sigurisë dhe mund t’u nënshtrohen edhe kushteve të tjera specifike.

Ata po ashtu kanë bërë të ditur se si është i klasifikuar procesi i përzgjedhjes dhe se kandidatët mund të aplikojnë në më së shumti dy fusha.

“Procesi i përzgjedhjes është i klasifikuar dhe përbëhet nga disa faza, përfshirë seleksionimin dhe testimin. Kandidatët mund të aplikojnë në më së shumti dy fusha. Përzgjedhja për pozitat përkatëse do të bëhet varësisht nga kualifikimet, kriteret dhe kushtet e përgjithshme të përshkruara në konkurs si dhe kriteret dhe kualifikimet tjera specifike, të brendshme” – thuhet në konkursin e AKI-së.

Sa i përket aplikimit, AKI ka njoftuar se aplikimi bëhet vetëm në mënyrë elektronike në uebfaqen zyrtare të AKI: https://www.aki-rks.org/konkursi, ku duhet plotësuar aplikacionin dhe duhet të bashkangjiten dokumentet e kërkuara.

Dokumentet e kërkuara gjatë aplikimit në konkursin e AKI-së janë këto: një letër motivimi, kopjet e dëshmive për përfundim të studimeve të lëshuara nga institucionet arsimore, kandidatët që kanë përfunduar shkollimin jashtë vendit duhet të sjellin diplomë të nostrifikuar, kopja e dëshmisë së shkollës së mesme, kopja e dëshmisë së shkollës fillore, dëshmi për përvojën e punës, kopje të dëshmive për kualifikimet tjera – certifikatat e trajnimeve apo formave tjera të aftësimit profesional, certifikata e lindjes ose ekstrakti i lindjes, kopja e letërnjoftimit ose pasaportës, një fotografi të formatit 5×5 (kërkohet jo më e vjetër se një muaj) dhe certifikatë mbi dënimet penale (jo më e vjetër se tre muaj).

Konkursi do të jetë i hapur deri më 19.07.2024, ora 16:00, njofton AKI.

Të gjitha kualifikimet dhe kriteret e kërkuara për secilën kategori të shpallur në konkurs mund t’i gjeni në këtë LINK.