Foto: KALLXO.com.

Akademia mban simpozium për zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992  

Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës është duke u mbajtur simpoziumi shkencor “Institucionalizimi i Republikës së Kosovës në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992”.

Më 24 maj 1992 në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e para të lira pas nisjes së procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Përmes kumtesave të ndryshme, studiuesi të fushave të ndryshme e akterë të atyre ngjarjeve po sjellin fakte e dëshmi lidhur me rëndësinë e atyre zgjedhjeve në konsolidimin e shtetit të Kosovës, pavarësisht okupimit nga ana e Serbisë.

Studiuesit gjatë fjalës së tyre dhanë vlerësim për politikën e ndjekur nga klasa politike kosovar e asaj kohë në krye me Ibrahim Rugovës, si një nga faktorët kyç për futjen e çështjes së Kosovës në fokus të fuqive të mëdha vendim marrëse të kohës.

Gjyljeta Mushkolaj, sekretare e Sesionit të Shkencave Shoqërore në AShAK, tha në hapje të këtij simpoziumi se zgjedhjet e 24 majit shtyn proceset e nisura më deklaratën e 2 korrikut dhe të Kushtetutën e Kaçanikut të 1990-ës për institucionalizimin e shtetësisë së Kosovës.

“Zgjedhjet e 24 majti të 1992 ishin zgjedhjet e para shumë partiake dhe presidenciale të lira të mbajtura në Kosovë, ndonjë herë”, tha Mushkolaj.

Ndërsa, akademik Jusuf Bajraktari, gjatë kumtesës së tij, “Programet e partive politike dhe pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet e para të viti 1992”, tha ndër të tjerash se nga zgjedhjet e 24 majit 1992 u zgjodhën 100 deputetë me votë të drejtpërdrejtë dhe 30 sipas sistemit proporcional, pasi kuvendi i atëhershëm duhet të kishte 130 deputetë. Ai tha se në ato zgjedhje morën pjesë 122 subjekte politike.

Nga zgjedhjet e drejtpërdrejta, sipas Bajraktarit,  LDK fitoi 96 deputetë, Partia Parlamentare e Kosovës 13 deputetë, Partia Fshatare e Kosovës 7 deputetë, Partia Shqiptare Demokristiane 7 deputetë, kandidatët e pavarur 2 deputetë.

Ndërsa në bazë të sistemit proporcional pakica muslimane fitoi 5 deputetë, pakica turke 2.

“Pakicës serbo-malaziase edhe pse nuk mori pjesë në zgjedhjet e 1992, iu rezervuan 14 vende në kuvend, sipas përqindjes së popullsisë”, ka thënë Bajraktari.

President u zgjodh, Ibrahim Rugova nga LDK-ja.

Ndërsa, akademik Isa Mustafa  tha gjatë falës së tij, se kontribut kyç në funksionalizmin e shtetit të Kosovës luajti diaspora shqiptare.

“Pavarësisht të metave, mjetet financiare të diasporës, që mblidheshin nëpërmes fondeve të ndryshme ndikuan dukshëm në ndërtimin e institucionalizimit të shtetit të Kosovës, lobimit dhe edhe në organizimin e luftës çlirimtare”, tha ndër të tjerash Mustafa, gjatë kumtesës së tij, “Kontributi i diasporës në fazën e parë të shtetndërtimit të Republikës së Kosovës”.

Ndërsa, akademik Arsim Bajrami, në kumtesën e tij, “Aktet burimore kushtetuese dhe politike të lindjes së Republikës së Kosovës”,tha se deklarata e 2 korrikut 1990 shënoi fillimin e procesit të shtetësisë së Kosovës.

“Me deklaratën e 2 korrikut shënohet fillimi i një transicioni statusor të Kosovës drejt rregës së lirisë dhe pavarësisë”, tha ndër të tjerash, akademik Bajrami.

Zgjedhjet e 24 majit të viti 1992 u mbajtën në një situatë rënduese, pasi autoritete serbe, pas 2 korrikut të 1990 kishin filluar një fushatë të okupimit masiv të institucioneve kushtetuese të Kosovës.

Policia serbe kishte intervenuar në shumë vendvotime duke rrahur komisionerët dhe shkatërruar materialet zgjedhore.

Foto: KALLXO.com.
Foto: KALLXO.com.