Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AKA pret që të funksionalizohet Bordi i KShC-së

Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA) pret që së shpejti të rikthehet funksioni i Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë(KShC).

Drejtori i këtij agjencioni, Naim Gashi ka bërë të ditur për KALLXO.com se pas dorëheqjes së 5 anëtarëve të KShC-së ka njoftuar institucionet vendore dhe ndërkombëtare dhe i ka shprehur nevojën për kompletim të këtij bordi.

Gashi ka deklaruar se nga të dyja palët ka parë një interesim për përshpejtim të rikthimit të funksionit të KShC-së.

“Agjencia e Kosovës për Akreditim i ka njoftuar institucionet vendore dhe ndërkombëtare për nevojën e kompletimit të Bordit të KShC-së, menjëherë pas konstituimit të institucioneve të reja. Ende nuk kemi ndonjë përgjigje zyrtare, por kam parë një gatishmëri të institucioneve edhe vendore edhe ndërkombëtare për ta përshpejtuar këtë proces”, tha ai.

Tutje Gashi theksoi se dorëheqjet e fundit nuk kanë asnjë ndikim në procesin e vlerësimit institucional dhe të programeve akademike të institucioneve të arsimit të lartë.

“Ne kemi të aprovuar listën e ekspertëve ndërkombëtarë dhe janë miratuar/refuzuar aplikacionet për akreditim kështu që procesi po vazhdon normalisht”, shtoi më tej ai.

Drejtori i AKA-së theksoi se funksionalizimi i bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë mund të bëhet edhe me vetëm një anëtar ndërkombëtarë dhe është i nevojshëm në kohën kur të kryhen raportet e ekspertëve ndërkombëtar, pas vlerësimeve të programeve akademike dhe instuticionale.

“Kompletimi i Bordit, të paktën me një anëtar ndërkombëtar, është i nevojshëm kur të vijnë raportet përfundimtare të ekspertëve të jashtëm. Ne shpresojmë që deri atëherë do të kemi të kompletuar Bordin, ose të paktën të kemi një anëtarë ndërkombëtarë”, ka theksuar Gashi për KALLXO.com.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të marrë përgjigje nëse kanë marrë ndonjë hap konkret rreth plotësimit të Bordit të KShC-së, por deri më tani nuk ka pranuar përgjigje.

Më 4 shkurt, tre anëtarët ndërkombëtarë, Jeff Butel, Herb Amato dhe Magdalena Ziolo si dhe dy anëtarët vendor, Gazmend Luboteni, Vjollca Krasniqi, kanë dhënë dorëheqje nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Tre anëtarët ndërkombëtarë kishin dhënë dorëheqje për shumë arsye, por ndër të tjera edhe për mos deklarim të pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsion.

Ndërsa dy anëtarët vendor kanë thënë se janë munduar që të përmirësojnë cilësinë në arsimin e lartë pavarësisht presioneve të vazhdueshme nga jashtë dhe brenda KShC.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, është organ politikbërës dhe vendimmarrës i AKA-së, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë.

KShC merr vendim për akreditim me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.

Aktualisht në bord kanë mbetur katër anëtar: Arta Jakupi, Dukagjin Zeka, Rozafa Koliqi dhe Binak Beqaj.

Për emërimin e anëtarëve të këtij bordi vendos Kuvendi i Kosovës.

Japin dorëheqje 5 anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

.