AKA diskuton me institucionet e arsimit të lartë, flasin për plotësimin e kritereve për rikthim në ENQA

Agjencia e Akreditimit e Kosovës (AKA) së bashku me World University Service (WUS) Kosova kanë organizuar konferencë virtuale së bashku me institucionet e arsimit të lartë me temën: “Sfidat e zbatimit të standardeve dhe udhëzuesve për sigurim të cilësisë të zonës evropiane të arsimit të lartë, nga institucionet e arsimit të lartë në Kosovë”.

Në këtë konferencë, Dukagjin Zeka, anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, tha se rikthimi i AKA-së në ENQA është një nga prioritetet kryesore dhe shpreson që së shpejti të miratohet Ligji për AKA-në.

“Agjencia e Akreditimit gjatë vitit të fundit ka miratuar një plan dinamik për zbatimin e të gjitha kritereve për kthim në ENQA. Është bërë një punë e madhe për arritjen e këtyre objektivave. Ne shpresojmë që shumë shpejt do të krijohen institucionet e reja, të cilat do të miratojnë Ligjin për AKA-në, si një nga kriteret kryesore për plotësimin e këtyre standardeve”, tha anëtari i KSHC-së.

Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Akreditimit tha se e gjithë energjia e stafit të AKA-së është përqendruar në përmbushjen e rekomandimeve të Raportit të ENQA-së, në mënyrë që sa më shpejtë të bëhet rikthimi në këtë organizatë ndërkombëtare.

“Gashi e ka falënderuar donatorin – Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, për financimin e këtij projekti, por edhe disa projekteve të tjera, që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve të Agjencisë për transparencë dhe pavarësi institucionale”, thuhet në një komunikatë për media.

Tutje ai tha se zbatuesi i këtij projekti, WUS Kosova ka bërë një punë shumë profesionale për të përkrahur Agjencinë për plotësimin e kriterit më të vështirë të ENQA-s, që sipas tyre,  kjo është krijimi i metodologjisë për analiza tematika.

Luljeta Aliu nga WUS Kosova tha se garantimi i pavarësisë së AKA-së është një nga kriteret kryesore, duke u bazuar në “Standardet dhe udhëzuesin për sigurimin e cilësisë në zonën evropian të arsimit të lartë”.

Ajo ka thënë se për zbatimin e këtij projekte janë të angazhuar ekspertë eminentë vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa kjo konferencë do të mundësojë marrjen e mendimeve të të gjithë akrerëve në arsimin e lartë në Kosovë.

Qëllimi i kësaj Konference është që së bashku më përfaqësuesit të institucioneve të arsimit të lartë, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të diskutohen sfidat e zbatimit të proceseve të sigurimit të cilësisë në Kosovë bazuar në “Standardet dhe udhëzuesin për sigurimin e cilësisë në zonën evropian të arsimit të lartë”.

Pjesëmarrës në këtë Konferencë ishin: rektorë, pro-rektorë, profesorë, studentë, përfaqësues të Unionit të Studentëve të Kosovës, udhëheqës të programeve studimore, personeli i zyrave të cilësisë të IAL-ve në Kosovë etj. Kontribuues janë ekspertë të njohur ndërkombëtarë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Konferenca Virtuale është organizuar në kuadër të projektit, “Supporting Kosovo Accreditation Agency on achieving some of the ENQA’s recommendations”, financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.