Ajvazi: Për vendosjen e paneleve solare nëpër shtëpi duhet të merret pëlqim nga komuna

Drejtori i Departamentit ligjor në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Afrim Ajvazi, ka folur lidhur me pëlqimin që duhet të lëshojë komuna për ndërtimin e paneleve solare në shtëpi.

Ajvazi në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se janë pesë kërkesa që duhet të plotësohen për ndërtimin e paneleve solare në shtëpi.

“Janë pesë kërkesa, me mbush një aplikacion, me pru dëshminë nga KEDS për konsumin e energjisë vjetore, vlerësimin për prodhim vjetor që ia bën kompania, pëlqimi për kyçje në rrjet që e lëshon KEDS dhe një pëlqim nga komuna”, ka shpjeguar Ajvazi.

Ai ka thënë se qëllimi për pëlqim nga komuna ka ardhur për shkak që të mos legjitimohen lejimi i paneleve solare në shtëpi pa leje.

“Qëllimi ka qenë që shtëpia që nuk kanë leje ndërtimi nuk kemi dashur ne t’i legjitimojmë me lejimin e një ndërtimi (paneleve solare) të tillë. Nuk e di çfarë vështirësi hasin në komunë. Ne e kemi përdorur një logjikë të shëndoshë që mos të lejojmë të ndërtohen panele solare kur nuk ka leje ndërtimi”, ka thënë ai.