Ajri sot në Kosovë në nivel të pranueshëm

Gjatë ditës së sotme shumica e qyteteve në Kosovë kanë ajër kryesisht të cilësisë së pranueshme.

Sipas Institutit Hidrometereologjik të Kosovës (IHMK), cilësi të pranueshme të ajrit kanë Gjilani, Peja, Dardhishta, fshati Palaj, Mitrovicë dhe një pjesë e Prishtinës e që gjithashtu të njëjtat rezultate i japin edhe dy ekipet mobile të matësve të vendosura në Prishtinë.

Cilësi mesatare të ajrit kanë Obiliqi, Drenasi, Hani i Elezit e Prizreni.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) bën monitorimin e cilësisë së ajrit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përmes Rrjetit Shtetëror për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit.

Ky rrjet është i përbërë nga 12 stacione automatike fikse dhe një stacion automatik mobil.

Shpërndarja e stacioneve dhe përzgjedhja e lokacioneve monitoruese është bërë konform kritereve të Direktivës 2008/50/EU për ajër të pastër në Evropë dhe ligjeve vendore.