Ilustrim

Ajri i ndotur në Delhi të Indisë, paralajmërohet emergjencë për shëndetin publik

Ndotja e Delhit është rritur edhe një herë në nivele të rrezikshme, derisa një ekspert i njohur paralajmëroi se ajri toksik i Indisë do të ketë ndikim më të madh në shëndetin publik, sesa pandemia COVID-19 – raporton BBC.

Të mërkurën, më 18.12.2024, cilësia e ajrit ishte 35 herë mbi kufirin e sigurt të vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Banorët janë ankuar për probleme me frymëmarrjen, si dhe për kruajtje të syve e fytit.

Autoritetet u kanë bërë thirrje njerëzve, veçanërisht fëmijëve e të moshuarve, të qëndrojnë sa më shumë të jetë e mundur në ambiente të mbyllura. Ndërsa, mjekët rekomandojnë mbajtjen e maskës.

Por Frank Hammes, shefi ekzekutiv global i kompanisë së teknologjisë ajrore IQAir, paralajmëron se kjo është vetëm një masë afatshkurtër dhe se duhet bërë shumë më tepër.

“Nivelet alarmante të ndotjes së ajrit janë një pandemi e shëndetit publik.” – ka deklaruar ai për BBC-në, duke shpjeguar se si ajri toksik ndikon në gjithçka, nga vdekshmëria deri te nivelet e IQ-së. “Kjo do të ketë një ndikim shumë më të madh në shëndetin publik, sesa COVID-19.”

Çdo dimër, Delhi dhe shtetet e afërta përballen me ndotje të lartë, për shkak të shpejtësisë së ulët të erës, emetimeve të automjeteve dhe djegies së mbetjeve bujqësore e druve të zjarrit.

Sipas IQAir – indeks zviceran i cilësisë së ajrit, ndotja në pjesë të Delhit kapërceu shifrën 550 të mërkurën në mëngjes, duke tejkaluar shumë edhe nivelin “e rrezikshëm” 300.

Londra, në krahasim, kishte nivel 26 në mëngjesin e së mërkurës.

Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI) mat nivelin e grimcave të vogla në ajër, të njohura gjithashtu si PM 2.5, të cilat Hammes shpjegon se janë “ndotësi më i rrezikshëm” dhe “i vetmi përcaktues” për llogaritjen e niveleve të ndotjes.

“Shkakton vështirësi në frymëmarrje, sulme astme, probleme të zemrës dhe mushkërive, që i shtyjnë njerëzit të nxitojnë në Emergjenca.” – paralajmëroi ai.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com