Ajri i ndotur në Prishtinë, më 29 janar - Foto: KALLXO.com

Ajri i ndotur dhe (pa) pastërtia në komunat e Kosovës

Ndotja e ajrit është shkaktar i qindra vdekje të parakohshme në Kosovë dhe vështirëson jetesën e atyre me sëmundje respiratore.

Ndërkohë edhe qytetet rrëzë bjeshkëve po ballafaqohen me ndotje të ajrit nga një sërë faktorësh.

Të dhënat e siguruara nga “Kallxo.com, nëpër vendbanime të ndryshme të Kosovës tregojnë për ndotjen e ajrit dhe hapësirave të qyteteve.

Përpos mbeturinave të zakonshme në komunën e Leposaviqit banorët përballen me ndotjen që vie nga mbetjet industriale të Trepçës.

Një zonë e tërë në këtë komunë mbulohet herë pas here nga pluhuri i rrezikshëm i cili vie nga deponia  e rrezikshme, kjo po i shkakton probleme qytetarit i cili ka plantacion të kultivimit të mollës.

“Këtu ka problem me mbeturinat e xeheve, konkretisht ne kemi problem me pluhurin, kur fryn era e ngrit pluhurin nga mbetjet atje dhe kjo është kështu që prej se di për veten. Megjithatë, viteve të fundit ky problem shkon duke u rritur, sipërfaqja e deponisë së mbetjeve është shumë më e madhe se që ka qenë më parë, kështu që nga dita në ditë problemi shkon duke u rritur” ka thënë qytetari Zlatko Sekulliq.

Ndërkaq, problem për banorët e komunës së Hanit të Elezit vazhdon të jetë ndotja e ajrit nga fabrika e çimentos, e cila ndodhet në qytet. 

Në Kosovë, Obilqi është qyteti që njihet me ndotjen e theksuar të ajrit për shkak të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). 

Pak kilometra larg Obiliqit, është Prishtina ajo e cila përballet me cilësi jashtëzakonisht të dobët të ajrit, sidomos gjatë stinës së dimrit, për shkak të ngrohjes së qytetarëve me thëngjil.

Ndotja e ajrit në Prishtinë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Megjithkëtë, banorët e kryeqytetit nuk janë të vetmit që ballafaqohen me ajrin e ndotur.

Matjet e rrjetit shtetëror të monitorimit të cilësisë së ajrit, në kuadër të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, tregojnë se në mesin e qyteteve që përballen gjendje më të rënduar janë edhe Peja, Gjilani, Prizreni dhe komuna të tjera me indeks më të ulët të ndotjes.

Në anën tjetër, të dhënat e siguruara nga KALLXO.com nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, tregojnë se për vitin 2018, me sëmundje të sistemit respirator kanë qenë 27 mijë e 787 persona mbi moshën 50 vjeç apo 10.6%, ndërkaq me sëmundje të sistemit kardiovaskular kanë qenë 55 mijë e 49 persona apo 21,1%.

Kurse, për vitin 2019 pranimet spitalore nga sëmundjet respiratore te të gjitha grup moshat në Kosovë, tregojnë se më të prekur kanë qenë personat me moshën 15-49 vjeç fëmijët nga 1-5 vjeç dhe ata të moshës 6-14 vjeç.

Kurse, sipas raportit të Bankës Botërore të publikuar në vitin 2019, mbi 700 njerëz vdesin çdo vit në Kosovë nga shkaqet që ndërlidhen me ndotjen e ajrit. 

Sipas këtij raporti, rreth 90 për qind e vdekjeve janë nga sëmundjet kardiovaskulare, të cilat prekin më së shumti popullatën mbi 65 vjeç. 

Industritë prodhuese, ndërtimet e larta, përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje, sidomos i thëngjillit, dëmtimi i pyjeve dhe numri i lartë i automjeteve në komunikacion, konsiderohen të jenë disa prej shkaktarëve të ndotjes së ajrit në Kosovë.

Raporti i Ministrisë së Pushtetit Lokal (MPL), për periudhën janar-dhjetor 2019, flet edhe për fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Komunat e Kosovës në këtë fushë kanë treguar performancë të përgjithshme prej 65.64%.

Kjo fushë matë veprimet e komunës përkatëse për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit natyror dhe jetësor (urban dhe rural) nga dëmtimi, degradimi apo ndotja si pasojë e veprimtarisë njerëzore ose të ndikimit natyror. 

Në anën tjetër, mbajtja e nivelit të pastërtisë nëpër komuna të Kosovës, mbetet sfidë për qeverisjet lokale.

Në qytetin e Pejës mund të hasni në mbeturina, sikurse një pamje afër shkollës së Artit në këtë qytet. 

Por, nuk është vetëm kjo. Në qendër të qytetit, për shkak se mungojnë kontejnerët, mbeturinat dhe qentë endacak shihen gjithandej.

Edhe në Komunën e Gjilanit na 48 fshtra, në 21 fshatra nuk grumbullohen mbeturinat. 

Ndërkaq, në vetëm 22 prej 58 vendbanimeve të komunës së Kamenicës bëhet grumbullimi i mbeturinave nga kompania përgjegjëse.

Shembull ndryshe për komuna tjera në vend ka treguar Skenderaji, pasi në këtë komunë dënohesh nëse hedh bërllok.

Kjo komunë kishte bërë të ditur se nga janari i vitit 2019 deri në fund të muajit gusht kanë shqiptuar 35 gjoba për ndotje të mjedisit.

Ky artikull është mbështetur nga ATRC përmes projektit të mbështetur nga Community Development Fund, “Avokimi dhe Konsolidimi i rrjetëzimit tematik të Organizatave lokale të Shoqërisë Civile”, financuar nga Programi Human Rightivism nga Swedish International Development Cooperation Agency (SIDA), dhe në partneritet me CO-PLAN për zbatimin e projektit “ENV.net factoring the environmental portfolio for WB and Turkey in the EU Policy Agenda” financuar nga Bashkimi Evropian.