
'Ajo Mal', filmi që frymëzon dhe fuqizon vajzat dhe promovon malet e Kosovës, shfaqet më 25 nëntor në Kino Armata
Bjeshkët e Kosovës janë më shumë se një destinacion turistik, ato janë dëshmi e bukurisë së paprekur natyrore dhe një burim i pashtershëm inspirimi për ata që kërkojnë sfida dhe qetësi shpirtërore.
Pikërisht këto peisazhe madhështore i kanë shërbyer “Utalaya Foundation” (Fondacionit Utalay) për realizimin e projektit “Ajo Mal”, nga i cili edhe ka lindur filmi dokumentar me të njëjtin titull.
“Utalaya Foundation”, ka njoftuar se “Ajo Mal” është një dokumentar që sjell në vëmendje fuqinë e vajzave dhe grave në botën e bjeshkatarisë.
Dokumentari “Ajo Mal”, do të shfaqet më 25 nëntor 2024, në Kino Armata në Prishtinë, duke filluar nga ora 18:45.
“Premiera e dokumentarit është planifikuar të jetë një moment i rëndësishëm për komunitetin e bjeshkatarisë, aktivistët e turizmit dhe ata që besojnë në fuqinë transformuese të natyrës. Por, ky është vetëm fillimi; ‘Ajo Mal’ synon të frymëzojë dhe të motivojë përtej ekranit, duke nxitur një lëvizje për barazi dhe përkushtim në mbrojtjen dhe dashurinë e përzemërt ndaj aleatit tonë më të fuqishëm në planet-natyrës”- ka bërë të ditur “Utalaya Foundation”.
Premiera e dokumentarit është e hapur për publikun.
“Zyrtarë nga sektori publik, privat dhe shoqëri civile, bashkë me publikun do të jenë pjesë e kësaj ngjarje dhe pas përfundimit të dokumentari do të kenë rastin të mbajnë fjalimet e tyre për publikun ku njëherësh shprehin mbështetjen për sportin dhe rininë në Kosovë. Ngjarja do të përmbyllet me një koktej rasti ku të gjithë do të kenë mundësinë të ndajnë mbresat dhe të parashtrojnë komentet e tyre”- thuhet në njoftim.
“Ajo Mal” është një rrëfim i pasionit, guximit dhe përkushtimit. Në qendër të dokumentarit, sipas fondacionit janë vajzat e reja nga Kosova që, nën mentorimin e bjeshkatares së njohur Uta Ibrahimi, zbulojnë jo vetëm bukuritë e maleve, por edhe veten e tyre. “Përmes historive personale dhe përjetimeve të tyre, dokumentari shpalos transformimin që ndodh kur njeriu përballet me sfidat e natyrës dhe me kufijtë e vet. Mbi të gjitha kjo krijimtari shpërfaq magjinë e unitetit dhe mbështetjen e gruas ndaj gruas, një mbështetje që secili njeri pa dallim gjinie, moshe, etnie apo përkatësie fetare duhet ta kemi të kalitur në brendësi”- thuhet në njoftim.
Synimi i projekti “Ajo Mal”
Projekti “Ajo Mal”, i implementuar nga “Fondacioni Utalaya” dhe mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, ka përzgjedhur njëzet vajza nga të gjitha rajonet e Kosovës, duke i aftësuar ato në turizëm malor dhe aktivitete të natyrës.
Sipas “Utalaya Foundation”, ky projekt synon të ofrojë mundësi praktike dhe teknike për vajzat pjesëmarrëse, duke i ndihmuar ato të përmirësojnë shëndetin e tyre fizik dhe mental përmes bjeshkatarisë dhe eksplorimit të maleve të bukura të Kosovës.
“Përmes këtij projekti, vajzat do të kenë mundësinë të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për të udhëhequr dhe promovuar shtigjet malore të Kosovës, punën e guidës malore duke kontribuar kështu në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe ruajtjen e natyrës në rajon”- thuhet në njoftimin e “Utalaya Foundation”.
“Ajo Mal” nuk është thjesht një projekt për malet, por siç ka bërë të ditur fondacioni, është një thirrje për të njohur dhe promovuar rolin e grave në një fushë që shpesh perceptohet si e dominuar nga burrat.
Vajzat në dokumentar përfaqësojnë një gjeneratë të re të grave që nuk kanë frikë të përqafojnë pasionet e tyre, të sfidojnë normat dhe të ndjekin ëndrrat e tyre, qofshin ato në lartësitë e maleve apo në jetën e përditshme.
“Dokumentari përfaqëson më shumë sesa një histori individuale; ai synon të ndërtojë një narrativë kolektive mbi fuqinë e bjeshkatarisë për të krijuar një lidhje të thellë mes njerëzve dhe natyrës. Në të njëjtën kohë, ai adreson nevojën për të inkurajuar më shumë gra të përfshihen në sporte dhe aktivitete që tradicionalisht mund të mos kenë pasur pjesëmarrjen e tyre të duhur, si dhe mbrojtjen e ambientit dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm”- thuhet në njoftimin “Utalaya Foundation”.
Projekti gjithashtu shërben si një platformë për të promovuar turizmin malor të Kosovës dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.
“Utalaya Foundation”, thotë se duke kombinuar elemente të aventurës, kulturës dhe fuqizimit personal, “Ajo Mal” është një ftesë për të gjithë – burra dhe gra – për të përjetuar mrekullinë e maleve.