Ajeti: Turqia e ndalon qasjen në rrjetin e komunikimit për telefonat e pazhdoganuar

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ku u debatua për luftimin e kontrabandimit të telefonave dhe kufizimin e qasjes në rrjet të telefonave për të cilët nuk janë paguar tarifat doganore u mor si shembull shteti i Turqisë.

Sipas drejtoreshës së zyrës ligjore në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Rrezarta Ajetit, shteti i Turqisë është i vetmi vend në rajon i regjistron IMEI-t dhe ndalon rrjetin për telefonat që nuk iu kanë nënshtruar tarifave doganore.

“Në Turqi vetëm 120 ditë mundesh me e përdor telefonin, unë me qet telefon nëse shkoj në Bruksel mundem me nejt sa të dua ndërsa në Turqi jo se ta ndërpresin shërbimin sepse në momentin kur kyçesh në rrjet ai e ka një periudhe që te len me u regjistru”, shtoi Ajeti.

Ajo shtoi se Kosova ka pasur disa herë tentativa për t’i bllokuar valët për telefonat e pazhdoganuar.

“Kemi pasur shumë përpjekje për me e regjistru IMEI, kam qenë pjesë e grupit punues ku kemi marrë për bazë rregullimin e Turqisë pasi nuk ka pasur ndonjë formë tjetër. Pasi është konstatu shkelje e privatësisë e kemi ndërpre punën ndërsa koncept dokumentin tonë e kishte marrë Shqipëria”, shtoi Ajeti.