Ajet Potera, VV, Podujevë.

Ajet Potera i Vetëvendosjes nuk do të garojë edhe një herë për kryetar të Podujevës

Ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës në zgjedhjet e vitit 2017, Ajet Potera, thotë se nuk do t’ia mësyjë sërish garës për kryetar në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 15 mars.

Në një prononcim për KALLXO.com, Ajet Potera ka thënë që këtë vendim e ka marrë pasi që një herë ka qenë kandidat për kryetar Komunë si dhe dy herë kandidat për deputet.

“Ne po shpresojmë që ka me u mbajtë një mbledhje e organeve të Lëvizjes dhe aty do të merret një vendim mirëpo unë do ta shpreh vullnetin tim që nuk jam i interesuar për të kandiduar për shkak që kam kandiduar dy herë për deputet dhe një herë për kryetar Komune dhe nuk jam i interesuar jo për faktin që nuk dua t’u shërbej qytetarëve, mirëpo nuk shpresoj se sjell risi për atë Komunë, prandaj po më duket shumë përgjegjësi e madhe”, tha ai.

Sipas Poterës, Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës i duhet një kandidat që ‘potencialisht do të na fitojë zgjedhjet’.

Ish-kandidati i LVV-së për kryetar të Podujevës ka thënë që ende nuk kanë vendosur se kush do të synojë ulësen e të parit të Podujevës.

“Nuk kemi ndonjë emër të përveçëm, mirëpo ka njerëz potencial për ta shpallur kandidaturën. Ajo komunë nuk është qeverisur asnjëherë nga një subjekt tjetër, prandaj mendoj që qytetarët do të votojnë për një qeverisje ndryshe”, theksoi ai.

I pyetur nëse koalicioni në qendër mund të ndikojë në mënyrën sesi do të shkojnë zgjedhjet dhe se si do të bëhet qeverisja në Komunën e Podujevës, Potera ka thënë që kjo nuk duhet në ndodhë për shkak se qeverisja lokale dhe qeverisja qendrore janë të ndara nga njëra-tjetra.

Ajet Potera ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Ai u radhit i dyti me 11 mijë 373 vota, pas Agim Veliut nga Lidhja Demokratike e Kosovës,  i cili mori 20 mijë 027 vota.

Zgjedhjet në Komunën e Podujevës pritet të mbahen më 15 mars. Këto zgjedhje vinë pasi që ish-kryetari Agim Velii tani është bërë pjesë e ekzekutivit, duke udhëhequr Ministrinë e Punëve të Brendshme.