Ajër me cilësi të pranueshme në shumicën e qyteteve të Kosovës

Në shumicën e qyteteve të Kosovës gjatë ditës së sotme është regjistruar ajër me cilësi të pranueshme.

Sipas të dhënave nga matësit e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, ajër me cilësi të pranueshme u regjistrua në dy matësit në Prishtinë, tek Rilindja dhe ai mobil, në Mitrovicë dhe Gjilan.

Ndërsa, ajër me cilësi të mirë u regjistrua në Prizren, Prishtinë tek IHMK, Pejë, Obiliq, fshatin Palaj, Han i Elezit, Drenas dhe në fshatin Dardhishtë.

Kurse, matësi në Brezovicë nuk ka regjistruar të dhëna.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) bën monitorimin e cilësisë së ajrit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përmes Rrjetit Shtetëror për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit.

Ky rrjet është i përbërë nga 12 stacione automatike fikse dhe një stacion automatik mobil.

Materiale me rëndësi për cilësinë e ajrit mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.

Shpërndarja e stacioneve dhe përzgjedhja e lokacioneve monitoruese është bërë konform kritereve të Direktivës 2008/50/EU për ajër të pastër në Evropë dhe ligjeve vendore. Bazuar në kriteret e lartpërmendura stacionet janë shpërndarë në 9 (nëntë) komuna të Republikës së Kosovës: Prishtinë, Obiliq, Drenas, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Shtërpcë (Brezovicë), Hani i Elezit dhe Gjilan.

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.