Ndotja e ajrit Prishtine, 30 janar 2018 - Foto: Atdhe Mulla

Ajër me cilësi të dobët në Kosovë, reagon Instituti i Shëndetit Publik

Cilësia e ajrit në disa prej qyteteve të Kosovës është e dobët.

Ajër me cilësi të dobët ka në qytetet Pejë, Gjilan, Prishtinë (matësi i vendosur te ndërtesa e ish- Rilindjes) dhe Drenas.

Ndotje të madhe ka shfaqur matësi mobil, i cili është i vendosur në dalje të kryeqytetit, në afërsi të Zonës Industriale.

Ajër me cilësi të pranueshme ka në Palaj dhe në Brezovicë.

Matësit tregojnë ajër me cilësi mesatare në Prizren, Mitrovicë dhe në Dardhishtë.

Rreth cilësisë së ajrit ka reaguare dhe Instituti I Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Sipas IKSHPK-së, cilësia e dobëte  ajrit është kontribues i shumë problemeve shëndetësore.

“Cilësia jo e mirë e ajrit në Kosovë është ndër kontribuesit kryesorë për problemet shëndetësore si: astma, bronkiti kronik, sulmi në zemër dhe tensioni i lartë. Prandaj është e domosdoshme të dijmë se ku dhe kur duhet të dalim. Rekomandimet e dhëna nga ekspertët e shëndetit publik ju ndihmojnë të merrni vendime të duhura dhe të kujdeseni për shëndetin tuaj”, thuhet në reagimin e tyre.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) bën monitorimin e cilësisë së ajrit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përmes Rrjetit Nacional për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit. Ky rrjet është i përbërë nga 12 stacione automatike fikse dhe një stacion automatik mobil.

Shpërndarja e stacioneve dhe përzgjedhja e lokacioneve monitoruese është bërë konform kritereve të Direktivës 2008/50/EU për ajër të pastër në Evropë dhe ligjeve vendore.

Bazuar në kriteret e lartpërmendura stacionet janë shpërndarë në 9 (nëntë) komuna të Republikës së Kosovës: Prishtinë, Obiliq, Drenas, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Shtërpcë (Brezovicë), Hani i Elezit dhe Gjilan.

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.