Ajër me cilësi të dobët në disa qytete të Kosovës

Cilësia e ajrit në disa prej qyteteve të Kosovës është e dobët. Ajër me cilësi të dobët ka në qytetet Drenas, Mitrovicë, Prizren, në fshatin Dardhishtë dhe Palaj, ndërsa në Pejë, Gjilan, Prishtinë (matësi i vendosur te ndërtesa e ish- Rilindjes), dhe ai në dalje të Prishtinës (i vendosur te IHMK) tregojnë ajër me cilësi shumë të dobët apo me ndotje të madhe.

Ndotje jashtëzakonisht të madhe ka shfaqur matësi mobil, i cili është i vendosur në dalje të kryeqytetit, përballë kazermës së Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) bën monitorimin e cilësisë së ajrit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përmes Rrjetit Nacional për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit. Ky rrjet është i përbërë nga 12 stacione automatike fikse dhe një stacion automatik mobil.

Shpërndarja e stacioneve dhe përzgjedhja e lokacioneve monitoruese është bërë konform kritereve të Direktivës 2008/50/EU për ajër të pastër në Evropë dhe ligjeve vendore.

Bazuar në kriteret e lartpërmendura stacionet janë shpërndarë në 9 (nëntë) komuna të Republikës së Kosovës: Prishtinë, Obiliq, Drenas, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Shtërpcë (Brezovicë), Hani i Elezit dhe Gjilan.

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.