Ajër i ndotur në qytetet kryesore të Kosovës

Cilësia e ajrit në disa prej qyteteve të Kosovës është e dobët.

Disa prej qyteteve që aktualisht po përballen me ajër të ndotur janë: Prishtina, Gjilani, Mitrovica, Prizreni e Peja.

Kështu tregojnë matjet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, ku në disa prej qyteteve cilësia e ajrit është jashtëzakonisht e dobët.

Në raste të tilla, sipas Institutit, qytetarët që bëjnë pjesë në grupet e ndjeshme të popullatës duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin jashtë.

Të rriturit dhe fëmijët me problem të mushkërive, ata me probleme të zemrës duhet t’i zvogëlojnë aktivitetet e rënda fizike jashtë dhe veçanërisht nëse kanë simptoma. Gratë shtatzëna duhet të qëndrojnë në shtëpi.

Njerëzit me astmë mund të kenë nevojë ta përdorin aparatin e tyre më shpesh për shkak të cilësisë së ajrit, gjithashtu edhe njerëzit e moshuar duhet t’i zvogëlojnë sforcimet fizike dhe të përdorin maska.

Personat e shëndetshëm duhet të hanë ushqime të shëndetshme me fruta dhe perime që ta forcojnë sistemin imunitar.

Burimi: IHMK