Foto: KALLXO.com

Ajër i ndotur në disa prej qyteteve kryesore të Kosovës

Cilësia e ajrit në disa prej qyteteve kryesore të Kosovës është e dobët. Disa prej qyteteve që aktualisht po përballen me ajër të ndotur janë: Gjilani, Mitrovica, Gjakova, Hani i Elezit dhe Obiliqi.

Cilësia e ajrit në Prishtinë, sipas matjeve të orës 09:00 nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) është jashtëzakonisht e dobët.

Në Prizren, aktualisht cilësia e ajrit është mesatare ndërsa në Ferizaj është shumë e dobët.

Kështu tregojnë matjet e IHK-së, ku në disa prej qyteteve, cilësia e ajrit është jashtëzakonisht e dobët.

Në raste të tilla, sipas Institutit, qytetarët që bëjnë pjesë në grupet e ndjeshme të popullatës duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin jashtë.

Të rriturit dhe fëmijët me probleme të mushkërive e ata me probleme të zemrës duhet t’i zvogëlojnë aktivitetet e rënda fizike jashtë dhe veçanërisht nëse kanë simptoma. Gratë shtatzëna duhet të qëndrojnë në shtëpi.

Njerëzit me astmë mund të kenë nevojë ta përdorin aparatin e tyre më shpesh për shkak të cilësisë së ajrit, gjithashtu edhe njerëzit e moshuar duhet t’i zvogëlojnë sforcimet fizike dhe të përdorin maska.

Personat e shëndetshëm duhet të hanë ushqime të shëndetshme me fruta dhe perime që ta forcojnë sistemin imunitar.

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.