Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ajazi tregon se pse filloi 'lufta' brenda PDK-së në Drenas

Driton Ajazi, kandidati i degës së PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit, në një intervistë për “KALLXO Përnime” ka thënë se kryetari Ramiz Lladrovci ka filluar “luftën” me strukturën e PDK-së pasi ai u zgjodh kryetar.

Ajazi ka akuzuar Lladrovcin se ka “rehatuar” familjarë të asamblistëve opozitarë.

“Tanimë siç e dini z.Lladrovci ka ardhë në qeverisje, ka pasur një mbështjetje të plotë qoftë të degës. Pas ardhjes së tij në pushtet, ai ndryshoi qasjen në raport me të gjithë. Së pari filloi ta godasë strukturën e PDK-së që e kishte mbështetur për ta zgjedhur ku isha edhe unë pjesë e ekipit. Ai është kandidati i parë që Drenasin e dërgon në balotazh, kjo na ka ndodhë për herë të parë me figurën e Lladrovcit. Mirëpo ia dolëm me angazhimin skajshmërisht të madh të strukturave sepse ishin zgjedhje të jashtëzakonshme, arritëm ta kthejmë PDK-në e ta zgjedhim Lladrovcin kryetar”, u shpreh Ajazi.

“Me zgjedhjen e tij, ai filloi një luftë speciale kundër ish-strukturës. Deri në atë masë sikur ne të gjithë të ishim kundërshtarë politikë. Ironia më e madhe për partinë kur në ekzekutivin e tij, ofroi njerëz të gjitha partive opozitare. Me ardhjen e z.Lladrovci ata e gjetën rahatinë e tyre, që të gëzojnë privilegje në cilësinë e drejtorëve, duke punësuar familjarë të tyre, si dhe vazhdoi me blerjen e asamblistëve opozitarë në këmbim të familjarëve të tyre krejt këto më qëllim që t’ia lehtësojë punën që në asamble të kalojnë vendimet që atij i shkojnë për shtati atij dhe grupeve të caktuara të interesit”, shtoi tutje ai.

KALLXO.com ka kontaktuar me Lladrovcin por i njëjti nuk ka dashur që t’i komentojë pretendimet e Ajazit.

Tutje Ajazi potencoi faktin se në vitin 2016, kur po mbaheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas, ish-kryetari i PDK-së Kadri Veseli kishte sugjeruar Ajazin që të jetë pjesë e qeverisjes së Lladrovcit.

“Në 2016-ën kam qenë pjesë e shtabit zgjedhor dhe pikërisht për këtë aktivitet e ka vlerësuar kryetari Kadri Veseli, kam qenë i sugjeruar që të jem unë pjesë e ekzekutivit të Ramiz Lladrovcit, mirëpo ai nuk e ka vlerësua një gjë të tillë. Për mua, më ka bë nder, është fatbardhësi që nuk kam qenë pjesë e një qeverisje të dështuar”, tha ai.