Aivo Orav, shefi i ri i zyrës së BE-së në Kosovë

Diplomati estonez, Aivo Orav nga sot, 02.09.2024 ka marrë detyrën e ambasadorit të Bashkimit Europian në Kosovë. Këtë pozitë paraprakisht e mbante ish-ambasadori, Tomas Szunyog.

Në një postim në rrjetin social X, Orav bëri të ditur se sot ka qenë dita e parë në zyrën e tij në Kosovë, teksa thekson se mezi pret që të punojë me partnerë ndërkombëtarë e vendorë “për ta sjellë Kosovën më afër BE-së”.

“Dita e parë në zyrën time të re si Ambasador i BE-së në Kosovë. Mezi pres të punoj ngushtë me partnerët tanë vendorë dhe ndërkombëtarë për; të avancuar marrëdhëniet tona politike dhe ekonomike, mbështejen e reformave, për ta sjellë Kosovën më afër BE-së dhe ta njoh Kosovën dhe popullin e saj”- ka shkruar ambasadori Orav.

Ai njoftoi se gjatë përgatitjes për të marrë detyrën si ambasador i BE-së në Kosovë, në Bruksel ka takuar ambasadorin e Kosovës, Agron Bajramin.

“Gjatë përgatitjes për të marrë detyrën si ambasador i BE-së në Kosovë , takova në Bruksel ambasadorin e Kosovës, Agron Bajrami – një koleg dhe ish gazetar i madh. Ai ndau shumë për Kosovën me mua. Mezi pres t’i përjetoj të gjitha drejtpërdrejt dhe të takoj më shumë njerëz si Agroni”- thuhet tutje në postim.

Në korrik të këtij viti, Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar diplomatin estonez, Aivo Orav, në postin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Kosovë.

Orav ka shërbyer më parë si ambasador i BE-së në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.