Ilustrim

AIP: Vendosja e kamerave më zë është e ndaluar

Vendosja e kamerave të vëzhgimit që incizojnë edhe zërin në hapësirat publike dhe private në Kosovë, parimisht është e ndaluar.

Kështu ka bërë të ditur përmes një përgjigje për KALLXO.com, Agjencia për Privatësi dhe Informim.

Sipas kësaj Agjencie, vëzhgimi me kamerë e cila mund të regjistroj edhe zërin e cenon privatësinë e personave dhe si e tillë ndalohet.

“Personat në sektorin publik dhe privat mund të instalojnë sistemet e vëzhgimit me kamerë për vëzhgimin e ndërtesave të tyre, nëse konsiderohet e nevojshme për sigurinë e njerëzve, sigurimin e pasurisë, mirëpo vëzhgimi me kamerë e cila mund të regjistroj edhe zërin parimisht është i ndaluar”, thuhet në përgjigjen e AIP-së për KALLXO.com.

Zyrtarët e AIP theksojnë se kamerat e vëzhgimit në objektet private nuk duhet të kapin hapësirat publike por vetëm perimetrin e pikave të hyrjeve dhe daljeve të atyre objekteve.

“Në objekte private duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë perimetrit të marrjes së pamjeve, pasi një vëzhgim i tillë nuk duhet të ndërhyjë në jetën private të subjekteve tjera. Pra, marrja e pamjeve lejohet në pikat e hyrjes dhe daljes se objekteve (përfshirë daljet emergjente, muret dhe gardhet përreth ndërtesës ose truallit), që janë në pronësi të kontrolluesit, e assesi në hapësira publike”, thuhet në përgjigjen e AIP-së.

Pamjet e këtyre kamerave mund të bëhen publike vetëm në rastet kur e kërkon interesi i përgjithshëm dhe janë të nevojshme për ndjekjen penale.

“Këto të dhëna mund të përpunohen apo të shfrytëzohen për qëllime të tjera, vetëm nëse janë të nevojshme për të parandaluar kërcënimet ndaj sigurisë shtetërore, apo për të ndjekur penalisht krimet, por dhe në ato raste kur kemi një interes të lartë legjitim të publikut”, thuhet në përgjigjet e AIP-së.

Një javë më parë, disa media në Kosovë kishin raportuar për një aksident rrugor i cili ishte kapur nga kamerat e sigurisë së një objekti privat.

Në artikujt e tyre ishin publikuar edhe fjalët e njërit prej personave të përfshirë në aksident e që ishin nxjerrë nga kamerat e sigurisë.

“O na fal se s’na koqiti vallai”, ishin titujt e portaleve për aksidentin me vetura i cili kishte ndodhur në qytetin e Podujevës.

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka potencuar se janë në përgatitje të mekanizmave inspektuese për mbikëqyrjen e kamerave të cilat mund të cenojnë privatësinë e qytetarëve.