AIP/ Foto: Agjencia për Informim dhe Privatësi

AIP përsërit kërkesën për partitë politike: Mbroni të dhënat personale të qytetarëve

Tri ditë para mbajtjes së Zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) iu drejtua partive politike sërish me kërkesën për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, gjatë fushatës zgjedhore.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen të dielën, më 09.02.2025.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), në përmbushje të mandatit të saj ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, përsërit kërkesën drejtuar partive politike në Kosovë për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore, për Zgjedhjet e datës 9 shkurt 2025.” – thuhet në komunikatën për media.

AIP ka kërkuar po ashtu nga partitë politike të mos ekspozojë të dhënat personale të qytetarëve, përmes komunikimeve pa pëlqim paraprak.

“Për të siguruar zbatimin e ligjit, Agjencia kërkon nga partitë politike zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, duke mos përdorur dhe ekspozuar të dhënat personale në komunikimet nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak.” – theksoi Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Mes të tjerash, Agjencia ofroi “bashkëpunim me të gjitha subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.”

AIP bëri thirrje “që çdo informacion personal i mbledhur gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, për realizimin e komunikimit me qytetarët gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore të përdoret në përputhje me kërkesat ligjore.”

Fushata për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht, më 11.01.2025.

Partitë politike po mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.