
AIP kërkon nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka kërkuar nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale, në kohën e fushatës zgjedhore.
AIP ka kërkuar që subjektet të mos ekspozojnë të dhënat personale gjatë komunikimit me qytetarë – siç janë mesazhet e thirrjet telefonike pa pëlqim paraprak.
“Për të siguruar zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe njëkohësisht për të shmangur çdo veprim të Agjencisë kundrejt Partive Politike dhe subjekteve të përfshira në procesin e fushatës elektorale, Agjencia kërkon nga Partitë Politike zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve – duke mos ekspozuar të dhënat personale gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjet telefonike, pa pëlqim paraprak.” – thuhet në komunikatën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
AIP ka bërë të ditur se në vitet e fundit kanë pranuar ankesa nga qytetarët ndaj partive politike, për përdorimin e të dhënave të tyre personale në mënyrë të paautorizuar.
“Agjencia ofron bashkëpunim me subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bën thirrje që çdo informacion personal i mbledhur gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, për realizimin e komunikimit me qytetarët gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore, të përdoret në përputhje me kërkesat ligjore.” – vazhdon njoftimi i AIP-së.
Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.
Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.