Aida Rexhepi do ta drejtojë bordin e ShSKUK-së deri në fund të mandatit

Kryesimin e bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës tashmë do ta bëjë Aida Rexhepi, përfaqësuese  e Qendrës klinike Universitare Stomatologjike të Kosovës.

Këtë pozitë deri më tash e ka pasur Agreta Gecaj- Gashi, e cila ka përfaqësuar në këtë bord Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, ndërsa para Gecajt- Gashit kryesimi i bordit është bërë nga Xhevat Jakupi si i emëruar i Qeverisë.

Drejtimi i bordit të këtij institucioni nga Aida Rexhepi ka filluar më 4 prill 2022 dhe do të vazhdojë deri në po të njëjtën datë të vitit të ardhshëm.

“Bazuar në mekanizimin e rotacionit çdo një vit, kryesimi i BD të SHSKUK nga data 4 prill 2022 ka kaluar te Dr. Aida Rexhepi. Siç është theksuar në përgjigjen e pyetjes së mësipërme, bazuar në Ligjin Për Shëndetësi, Statutin e SHSKUK-së, Rregulloren e Punës së Bordit Drejtues dhe Vendimin e Qeverise të datës 27.03.2020, kryesimi i BD të SHSKUK është një vjeçar dhe bazuar në këtë mekanizëm të rotacionit”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së për KALLXO.com.

Ky bord ishte zgjedhur nga Qeveria Kurti më 27 mars të vitit 2020, kurse ndërrimi i kryesuesit duhet të bëhet me rotacion.

“Kryesues i Bordit Drejtues të ShSKUK emërohet Xhevat jakupi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me mandat 1 vjeçar të cilin e pason me rashë në vitin e dytë përfaqësuesi i QKUK dhe në vitin e tretë përfaqësuesi i QKSUK”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Mandati i këtyre anëtarëve të bordit është 3 vjeçar dhe ky është viti i fundit i mandatit të këtij bordi.