Shkumbin Ahmetxhekaj, Foto:KALLXO.com

Ahmetxhekaj pretendon se kryeministri Kurti i kërkoi dorëheqjen nga posti i drejtorit të RTK-së

Shkumbin Ahmetxhekaj, ish-drejtor i përgjithshëm i RTK-së po pretendon se në 7 muajt e fundit sa ishte në pozitë filloi të ketë ndikime politike. Derisa tregoi se u ftua në një takim nga kryeministri Albin Kurti.

“Gjatë vitit 2023 nuk ka pasur tendencë të madhe për ndërhyrje politike. Më 3 dhjetor 2023, ditë e diel, u ftova në takim nga kryeministri Albin Kurti” – deklaroi Ahmetxhekaj në “Klan Kosova”.

Ai shtoi se kontakt më parë me kryeministrin Kurti nuk kishte pasur.

Tutje ai tregoi se çka u tha në takim, kurse shtoi se shpresonte se reformat në RTK ishin marrë parasysh dhe RTK-së t’i jepet buxhet shtesë.

“Zoti Kurti në njëfarë forme e pranonte që në RTK ka ndryshim por mendonte që duhet të ketë ndryshim shumë më të thellë. Në një moment tha që ‘mendoj që ka ardhë koha për një ndryshim të ri në menaxhment’. Nuk ishte shumë specifik që unë të largohesha por fakti që thotë ndryshime në menaxhment, atë e kuptova” – rrëfeu Ahmetxhekaj.

Ahmetxhekaj deklaroi se Kurti i tha që ndoshta do ishte i mirë ta përfaqësojë Kosovën diku.

Takim me ministrin Hajrulla Çeku pati ditën e nesërme.

“Në atë takim më pyeti dhe diskutuam për takimin e një dite më parë. Se çka kishim kuptuar dhe si të ecim tutje. Konkretisht, çfarë do të më bënte mua të jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të përgjithshëm” – tregoi ai.

Çeku, sipas tij, deshi të sqaronte se a e kishte kuptuar Ahmetxhekaj porosinë e kryeministrit.

Dorëheqja e Ahmetxhekajt ishte efektive nga data 08.07.2024.

Zana Spahiu emërohet u.d. Drejtoreshë e RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka dhënë dorëheqjen