Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së në një nga raportimet para Komisionit Parlamentar

Ahmetxhekaj: Numri i redaktorëve dhe gazetarëve në RTK është pothuajse i barabartë, rreth 250 në total

Komisioni për Buxhet po e shqyrton raportin e shpenzimeve te Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën janar-mars 2023.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Armend Muja ka pyetur bordin e RTK-së sa është numri i redaktorëve dhe gazetarëve që punojnë në RTK.

Drejtori gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj tha se numri i redaktorëve dhe gazetarëve është pothuajse i barabartë, rreth 250 në total.

“Rreth 250 në total janë redaktorë dhe gazetarë, janë diku barabartë”- tha ai teksa ka shtuar se qëllimi i tyre është që çdo titull në RTK të ketë dinjitet.

“Gazetarët që kanë qenë profesionalist dhe ka ardhë koha për avancim në vend që të ju rritet paga e kanë bë redaktor, dhe kjo është gabim dhe nuk pajtohemi dhe do ta shqyrtojmë me seriozitet. Qëllimi jonë është se çdo titull në RTK të ketë dinjitet. Këtë i premtojmë publikut që do ta bëjmë gjatë vjeshtës”- ka thënë ai.

Ndërsa, deputeti Muja ka pyetur se çfarë profesioni kanë 520 persona tjerë pasi sipas tij në regjistër të pagave janë 770 persona.

“E kam një pyetje shtesë, kur ju thoni se i keni 250 gazetarë dhe redaktorë ndërkaq në regjistër të pagave i keni 770, rrjedhimisht po i bije që 520 nuk janë as gazetarë dhe redaktorë, por çka janë”- ka pyetur Muja.

Lidhur me ketë, Ahmetxhekaj ka thënë se të tjerët “janë po aq pozita të rëndësishme si kamermanë, sepse gazetari për me bo punën në televizion i duhet kameramani. Kemi montazherë, tonista, regjisorë pjesa kryesore janë produksion”.

Bordi i RTK-së raporton për shpenzimet: Për mbeturina marrim faturë rreth 768 euro në muaj