Ahmetxhekaj: Në RTK nga shtatori do të fillojë reformë e thellë

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka prezantuar raportin e shpenzimeve për muajin prill maj dhe qershor.

“E kemi përmbyllur me 67 mijë euro plus. Ende jemi në situatë emergjente financiare”, tha kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Për deputetin Pal Lekaj u pa shqetësuese shpenzimi i madh i buxhetit në paga të punëtorëve dhe mosinvestimet në investimet kapitale.

Boletini tha se për këtë do te bëjnë një riorganizim të RTK-së duke punuar një organogram të ri.

“Janë punësuar njerëz pa analizë, janë rreth 770 punëtorë te rregullt nënkupton që ka një numër të madh në kontrata të rregullta. Ajo çfarë kemi ndërmend të bëjmë do të bëjmë një riorganizim të plotë të RTK-së për të parë shumë departamente dhe planifikojmë të shkurtojmë edhe vende të punës ndërsa ka departamente që nuk kanë krye asnjë punë. RTK funksionon me kushte minimale dhe kjo është pasoje e keq menaxhimit, ne e kemi bërë një skanim të kësaj gjendje. Ideja është qe në RTK të kemi një organogram që janë shpik pozita për me marrë një rrogë. Janë disa vende të punës të pa nevojshme”, ka thënë Boletini.

Ndërsa drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj e quajti reformë të thellë riorganizimin e RTK-së që do të fillojë në shtator dhe do të vazhdojë për tre muaj.

“Në shtator planifikojmë që të nisim reformën e thellë në RTK. Do të kemi në dispozicion 3 muaj aty do të shihet se çfarë i nevojitet RTK-së. Si do ta organizojmë nuk i dihet ende”, ka thënë Ahmetxhekaj.