Ahmeti sqaron vonesën e pagesave për individë e biznese nga pakoja e komunës

Komuna e Prishtinës ka sqaruar sot vonesën e pagesave prej 50 eurove për qytetarët e kryqytetit të prekur nga COVID-19 si dhe ndihmat bujqësore e grantet për biznese që kishin qenë pjesë e pakos së komunës.

Sipas Kryetarit, Shpend Ahmetit, pagesat që kanë nisur në fund të vitit 2020 nuk janë përfunduar tërësisht për shkak të mbylljes së vitit fiskal.

“Thesari është mbyllur në fund të dhjetorit për të përmbyll vitin financiar dhe ende nuk është rihap.  Në momentin që Thesari hapet dhe mjetet alokohen për Komunat sipas Ligjit në Fuqi, pagesat do të vazhdojnë për të gjithë përfituesit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Gjatë ditës së sotme, HANDIKOS ka reaguar përmes një kërkesë publike ndaj Komunës së Prishtinës rreth njoftimeve që ka bërë në muajin nëntor të vitit të kaluar për subvencionim me nga 80 euro për personat me aftësi të kufizuara të cilët jetojnë në Prishtinë.

“Nga kontaktet e vazhdueshme me personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre, banorë të Prishtinës, ata në HANDIKOS kanë paraqitur shqetësimet e tyre se deri me tani asnjë prej tyre nuk kanë përfituar nga shuma përmendur, gjë për të cilën kemi kërkuar sqarime nga Drejtoria e  Mirëqenies Sociale, por që nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje të qartë”, thuhet në reagimin e HANDIKOS.