Shpend Ahmeti - Kryetar i Prishtinës - FCB

Ahmeti: Rritja e rasteve me COVID-19 në Prishtinë është shqetësuese

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se rritja e numrit të të prekurve me coronavirus në Prishtinë është shqetësuese.

“Bazuar në të dhënat e marra nga IKSHP dhe raportin e konsoliduar nga Shtabi Emergjent në Prishtinë, del se momentalisht që nga data 20 mars deri më sot kemi 3103 raste me COVID-19 prej të cilave 1536 raste janë ende aktive. Kemi 1533 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 34 raste që kanë përfunduar me fatalitet”, ka shkruar Ahmeti.

Tutje ai ka kërkuar që qytetarët të respektojnë masat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore.

“Mbajtja e maskës mbetet një prej tri rregullave kryesore dhe masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit dhe rëndimin e situatës edhe më shumë. Të gjithë e kemi obligim që të ruajmë veten dhe të tjerët rreth nesh të jemi të ndërgjegjshëm. Sepse vetëm bashkë mund të tejkalojmë këtë sfidë” Vazhdoni t’i mbani maskat, dezinfektoni duart dhe mbani distancë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Sipas statistikave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, vetëm në Prishtinë gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar me coronavirus 45 persona.