Ahmeti premton deri në 700 banesa të përballueshme në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka prezantuar sot konkretizimin e projektit të ashtuquajtur “Banimi i Përballueshëm”.

Kryetari Shpend Ahmeti së bashku me Drejtorin për Mirëqenie Sociale, Dren Kukaj, deklaruan bashkëpunimin e tyre për këtë projekt i cili parashihet t’u dhurojë çati shumë banorëve të Prishtinës.

Gjatë muajit nëntor pritet të hapet konkursi me kriteret për banim me të cilat do të shërbehen familjet që do të banojnë në “Lagjen Model” në Bernicë, për të vazhduar me ndërtim në vitin e ardhshëm.

“600 deri në 700 banesa do të jenë në dispozicion me kosto të përballueshme për punëtorët e sektorit publik. Kur them për punëtorët e sektorit publik flas për mësimdhënësit, për punëtorët shendetësorë, punëtorët administrativë, për policinë”, u shpreh kryetari Ahmeti.

Ndërkaq, Drejtori Kukaj tregoi më shumë lidhur me infrastrukturën e këtyre banesave.

“Nga gjithsej shtatë hektarë tokë parcelë, vetëm 29% e saj është e shfrytëzuar për ndërtim, përderisa 71% e saj është në shërbim të hapësirave të gjelbërta, fushave sportive, shtigjeve të biçikletave e parkingut”, deklaroi Kukaj.

Sipas tij, përparësi do të kenë qytetarët të cilët nuk e kanë të zgjidhur çështjen e tyre të banimit, qytetarët të cilët punojnë dhe shërbejnë në sektorin publik dhe një pjesë tjetër e banesave do të ndahet për strehim social.

Sipas tyre, kostoja e banesave do të sillet nga 150 deri në 200 euro.

Ky projekt u realizua në bashkëpunim mes Komunës së Prishtinës, Fakultetin e Arkitekturës dhe Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës.