Ahmeti: Për teste të shpejta antigjen duhet të keni simptoma dhe udhëzim mjeku

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shkruar lidhur me testet e shpejta antigjen që po kryhen në kryeqytet.

Ai ka thënë se rezultati i këtij testi  del për 20 minuta dhe ka saktësi deri në 98.5 për qind.

“Prej të martës, Komuna e Prishtinës bën edhe teste antigjen për covid që janë të shpejta dhe rezultatet merren brenda 20 minutave. Sensitiveti është 98.5 përqind që do të thotë se saktësia është e lartë. Edhe më tutje PCR testi mbetet testi më i sigurtë në qoftë se administrohet mirë,” ka shkruar Ahmeti.

Ai tutje ka thënë se për të bërë këtë test qytetari duhet të ketë simptoma dhe udhëzim të mjekut si në rastin e testeve serologjike.

“Këto teste kryhen në QMF Emshir/Kalabri, dhe sikurse edhe me serologjike nevojitet udhëzimi i mjekut nga QMF-të tjera. Duhet të keni simptome për tu aprovuar,” ka shtuar tutje Ahmeti.

Komuna e Prishtinës ka blerë 18 mijë teste të shpejta antigjen që kryhen më anë të marrjes së strishos.

Komuna ka furnizim me këto teste për 3-4 muaj. Këto teste vlejnë vetëm për banorë të Prishtinës.