Shpend Ahmeti - Kryetar i Prishtinës - FCB

Ahmeti: Nëse vazhdohet kështu IKSHPK dhe Ministria mund te marrin vendime më drastike

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka konsideruar alarmante rritjen e numrit të rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë.

Ahmeti ka kërkuar nga qytetarët që të mendojnë për familjarët e tyre përpara se të fajësojnë ministrat.

“Sapo e kemi marr informatën nga IKSHP sot për 129 raste të reja në Kosovë e 45 në Prishtinë. Këto janë shifra alarmante. Para se të vendosni se cili ministër ka faj, ju kisha lut të mendoni mirë për veten dhe familjet e juaja. Shumica e rasteve janë raste të kontaktit, pra vajtje ardhje me njerëz me virus. Disa janë pa simptome dhe mendojnë se nuk ka lidhje që dalin. Disa mendojnë që është konspiracion i shteteve të mëdha”, ka shkruar Ahmeti në facebook.

Ahmeti ka thënë se nuk kanë besuar që do të ketë pakujdesi kaq të madhe, duke theksuar se Ministria e Shëndetësisë duhet të marrë veprime më drastike nëse vazhdohet me këtë rritje të numrit të rasteve.

“Por e vërteta është se virusi është në mesin tonë. Natyrisht, nuk kemi besuar se do të mbesim me zero raste, por edhe pakujdesi të plotë nuk kemi menduar. Në qoftë se vazhdohet kështu IKSHP dhe Ministria mund të marrin vendime më drastike, prandaj ju kisha lut t`i respektojmë rregullat, pastrimi i duarve shpesh, distanca, dhe në mungesë distance maska”, ka shkruar tutje Ahmeti.

I pari i Prishtinës ka thënë që gjurmimi i rasteve është i vështirë, duke shtuar se lajmi pozitiv është se nuk është rritur numri i pacientëve me komplikime.

“Ende po i presim detajet nga IKSHP por është e qartë që tashmë gjurmimi është më i vështirë dhe lufta me sëmundjen bazohet në vullnetin e secilit prej neve. Lajm më pozitiv është fakti se numri i pacientëve me komplikime nuk është shtuar sikurse numri i të infektuarve dhe nuk kemi fatalitete shtesë por kjo nuk do të mbahet kështu në qoftë se rriten numrat e të infektuarve”, ka shkruar tutje ai.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë që është koha për decentralizim të testimeve në komuna.

“Ne si komuna, do të zbatojmë vendimet e qeverisë sipas rekomandimeve të IKSHPK por tani mendojmë se është koha për decentralizim të testimeve në komuna dhe shtim të testeve për virus dhe testimeve serologjike. Ajo do të jetë mënyra e vetme për të kuptuar rrjedhën e virusit”, ka thënë tutje ai.

“Siç po thonë edhe ekspertët, do të duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me virusin deri në vaksine por nuk duhet të lejojmë humbje të kontrollit”, ka theksuar Ahmeti.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se sot janë konfirmuar 129 raste me COVID-19, ndërsa 10 janë shëruar.

Sipas njoftimit të institutit më së shumti raste me COVID-19 sot janë konfirmuar nga kryeqyteti, Prishtina, gjithsej 46 raste (sipas vendbanimit: 45 raste Prishtinë dhe 1 rast Hajvali).

 

Këto janë komunat me raste të reja me COVID-19