Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës

Ahmeti ndan grante për mediat e Prishtinës, kriteret diskriminojnë mediat online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se ka vendosur që mediat që janë në kryeqytet të ndihmohen me një fond prej 100 mijë eurosh.

Por, kriteret që Ahmeti i ka paraqitur përjashton portalet dhe mediat online, pasi që ato nuk janë anëtare të Komisionit të Pavarur për Media.

Si media të regjistruara në KPM janë vetëm televizionet dhe radiot.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti tha se nesër do të bëhet thirrja që do të ndahen mediat në tri kategori.

“Shumë media kanë rrezikuar mbylljen për shkak të pandemisë. Mediat që mbahen nga reklamat e bizneseve me humbjen e bizneseve do të mbyllen.  Ato të pavarurat më së shumti.Ne si Komunë mendojmë që mediat janë ndër elementet me të rëndësishme të demokracisë.  Kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër posaqërisht ato që kritikojnë”, ka shkruar ai.

“Ne kemi vendosur që mediat me bazë/zyre/lokacion në Prishtinë të ndihmohen me një fond prej 100,000 euro.  Nesër bëhet thirrje ku mediat ndahen në tri kategori bazuar në numrin e punëtorëve që kanë nën 8 (tetë) punëtorë, nga 8-50 punëtorë dhe mbi 50 punëtorë”, ka thënë më tej Ahmeti.

Sipas Ahmetit, mediat duhet të plotësojnë këto kushte:  Të jenë të regjistruar ne Komunën e Prishtinës, të funksionojnë si media profesionale dhe të jenë të regjistruara në institucionet përkatëse (Komisioni i Pavarur për Media), duhen pasqyrat financiare, vërtetimi i pagesës së kontributeve pensionale të punëtorëve.

Komisioni do të ketë shumicën përfaqësues të mediave e jo të Komunës.

Sipas tij, bazuar në numrin e mediave në komunën e Prishtinës kjo nuk është ndihmë e madhe, por mund t’i shpëtojë disa prej tyre.

“Ndoshta nuk ka nevojë ta themi, por ndihmën mund ta marrin edhe kritikuesit më të mëdhenj të Komunës. Sic ka thënë Michael Moore kur kishte ndihmuar financiarisht webfaqen më kritikuese ndaj tij që të mos mbyllet – pa juve nuk do të kishte interesim për punën tonë.”, ka shkruar Ahmeti.

Komuna e Prishtinës ditë më parë ka marrë vendim që t’i ndihmojnë personat e prekur me COVID-19 me nga 50 euro si dhe do të ndajë fonde për bizneset në vlerë rreth 5 milionë euro.

Prishtinë, fondi 5 milionësh për biznese nis zbatimin nga e hëna

.