Shpend Ahmeti - Kryetar i Prishtinës - FCB

Ahmeti: Me vetëm 24 mijë vaksina nuk ka nevojë për senzibilizim nga politikanët

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti e ka quajtur banalitet që një politikan të marrë vaksinën nga ato që kanë arritur tashmë në Kosovë kundër COVID-19, para atyre që kanë nevojë për të.

Sipas Ahmetit, me këtë numër të dozave nuk ka nevojë për sensibilizim nga udhëheqësit politik për marrjen e vaksinës.

“Me vetëm 24,000 vaksina të siguruara, nuk ka nevojë për senzibilizim nga udhëheqësit politik për marrjen e vaksines.  Një politikan edhe mund ta bëjë gabimin e marrjes para atyre që kanë nevojë, por kur rreshtohen politikanët e shëndoshë e të rinj, kjo veç është banalitet.  Ky status nuk është status as kundër ndonjë politikani e as kundër ndonjë partie”, ka shkruar Shpend Ahmeti në Facebook.

Më tej, ai ka thënë se 24 mijë vaksina nuk mjaftojnë as për punëtorët shëndetësor e të moshuarit.

“Një vaksinë që ju e merrni është një vaksinë më pak për dikë në nevojë që mund të rrezikojë jetën.  Nuk po them që duheni me u sëmu me covid, por sakrificë në këtë rast është me hjek dorë prej vaksinës edhe në qoftë se ju ofrohet.  Së shpejti do të ketë mjaft.  Mosni ju lutem!”, ka përfunduar Ahmeti.

Të hënën kryeministri Albin Kurti ka marrë vaksinën AstraZeneca, pas arritjes së 24 mijë dozave si donacion UNECF, të dielën.

Kurti deklaroi sot në një seance plenare se e mori i pari pasi që AstraZeneca ka një “reputacion të lënduar sot në botë”, e që shtoi se nuk ishte për të marrë privilegjin.

Gjithashtu, sot vaksinën e mori edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.