Ahmeti lutet për unitet për tejkalimin e pandemisë së coronavirusit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas rënies së Qeverisë Kurti.

Në postimin e tij Ahmeti u ka thënë deputetëve që ‘e keni meritu karantinën minimum 14 ditore! Jo për shkak të rrezikimit vetëm të shëndetit fizik por edhe atij mendor’.

Për ta përballuar sa më lehtë situatën e pandemisë së coronavirusit, Ahmeti ka kërkuar që të ketë unitet edhe pas zhvillimeve të sotme.

“E di që është vështirë tash por duhet të bëhemi bashkë në këtë luftë e betejë. 14 ditët e ardhshme janë kritike edhe sipas ekspertëve .Kosova ka njerëz që mund ta bëjnë më të mirën edhe në shëndetësi edhe ekonomi. Pas kësaj nate të vështirë, ju kisha lut për unitet. Kemi nevojë me punu bashkë të gjithë me e pas situatën në kontroll, qoftë edhe në kohë të shkurtë, sa ta kalojmë pandeminë”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti ka sugjeruar qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi ‘E di që vështirë në këtë situatë por këtë krizë politike nuk bën ta shndërrojmë në krizë edhe më të madhe shëndetësore. Ta ruajmë vetën, familjen dhe komunitetin’.

E për ta zgjidhur krizën politike, Ahmeti ka thënë se janë dy zgjidhje.

“Pas pandemisë, partitë duhet të kërkojnë ri legjitimim në zgjedhje, përveç në rast të qeverisë së gjerë për shkak të unitetit nacional të nevojshëm”, tha ai.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin u rrëzua sot nga një mocion i mosbesimit i iniciuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Mocioni u votua me 82 vota për, 32 kundër, dhe 1 abstenim.117 deputetë ishin të pranishëm në sallë.

Qeveria Kurti u rrëzua në ditën e 52-të të qëndrimit në pushtet.

Shqyrtimi i mocionit të mosbesimit ndaj ekzekutivit ishte kërkuar të shtyhet për shkak të gjendjes së krijuar nga coronavirusi, nga i cili deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 71 raste.

Qeveria Kurti u miratua me 3 shkurt të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se 100 ditësh negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019, të cilat të parën e renditën LVV-në, e të dytën LDK-në.