Shpend Ahmeti - Kryetar i Prishtinës - FCB

Ahmeti kërkon kujdes në hapje të shkollave

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në takimin e sotëm të kryetarëve të komunave me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, foli për hapjen e shkollave si dhe financimin shtesë të komunave.

Ahmeti tha se duhet të kenë kujdes me hapjen e shkollave pasi numri i të rinjve që po vdesin nga COVID-19 është në rritje.

“Në takim u diskutua për pishina, aktivitete sportive, shkollat e futbollit në hapësira që po quhen gjysmë të mbyllura. Duhet të ketë kujdes me hapjen e shkollave pasi siç e dini numri i rasteve të vdekjeve tek të rinjtë nga COVID-19 është në rritje,” u shpreh Ahmeti.

Ahmeti foli edhe për një financim shtesë prej 10 milion euro, të cilat sipas tij do shkojnë për komunat e vogla.

“Diskutuam për një financim shtesë prej 10 milionë euro për komunat për të cilat shumica e kryetarëve u dakorduan që të shkojnë për komunat e vogla me idenë që ato kanë më shumë nevojë,” ka shtuar Ahmeti.

Ndërsa për testimin e mësimdhënësve Ahmeti ka thënë se nuk do ketë për shkak të mungesës së kapaciteteve.