Shpend Ahmeti - Kryetar i Prishtinës - FCB

Ahmeti: Kemi angazhuar staf shëndetësor shtesë për shkak të infektimeve të shumta nga COVID-19

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se COVID-19 më së shumti ka prekur stafin shëndetësor, gjë që ka shkaktuar edhe goditje të kapaciteteve për të ofruar shërbime mjekësore për qytetarët.

Për këtë arsye, sipas të parit të Prishtinës, janë angazhuar edhe 35 persona në stafin shëndetësor për një afat prej 4 muajve.

Këta persona, sipas Ahmetit janë zgjedhur nga lista e pritjes të konkursit të fundit.

“Covidi më së shumti ka prekur personelin shëndetësor të cilët na baza ditore kanë qenë në kontakt direkt me virusin. Një pjesë e madhe e tyre janë infektuar duke rrezikuar edhe familjet e tyre.

Për pasojë, për shkak të nevojës për shërim dhe vetëizolim, kapacitetet tona për të ofruar shërbime janë goditur tërë kohën dhe posaqërisht tani. Javën e kaluar për shkak të kërkesave në Kalabri dhe në QMF-të tjera kemi rrezikuar mbylljen e dy Qendrave të Mjekësisë Familjare. Ky edhe ka qenë rekomandimi i menaxherëve duke mos pas opcione tjera.

Të premten kemi vendosur që për një periudhë afatshkurtër – 4 muaj – të angazhojmë edhe 35 persona në stafin shëndetësor – 10 mjekë e 25 infermierë. Personat janë përzgjedhur nga konkursi i fundit – ata që kanë qenë në listë të pritjes.

Së bashku me 40 profesionistë të pranuar me konkurs të rregullt Prishtina është gati për këtë front duke ditur që tani fillon edhe koha e gripit sezonal. Është edhe një mundësi e mirë për mjeket e infermierët të papunësuar të kontribuojnë në këtë betejë duke u paguar për punën që bëjnë!” ka njoftuar Ahmeti.

Ahmeti para disa ditësh ka vizituar qendrën e mjekësisë familjare në lagjen ‘Kalabria’ ku po trajtohen pacientë me COVID-19.

 

Ahmeti viziton qendrën për COVID-19 në ‘Kalabri’, adreson pritjen e gjatë dhe mungesën e barnave