Ahmeti i VV-së: Thaçi dhe Hoti paskan hequr dorë nga anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare

Kreshnik Ahmeti, ish-shefi i kabinetit të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka thënë se nga njoftimi i emisarit special për dialogun Kosovë-Serbi, kuptohet që përfaqësuesit e Kosovës kanë heq dorë nga anëtarësimi i vendit në organizata ndërkombëtare.

Sipas zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, përveç reciprocitetit, kusht i Serbisë ka qenë edhe mos aplikimi i shtetit tonë në institucione ndërkombëtare.

“Sipas tweet-it të emisarit të Presidentit Trump për dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, kuptuam që Thaçi dhe Hoti paskan hequr dorë nga anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare. Duhet ta kujtojmë që sikurse heqja e reciprocitetit, edhe kjo ka qenë kusht i Serbisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, ky veprim do të pushojë fushatën për çnjohje të Serbisë, sepse, sipas tij, nuk ka nevojë ta bëj një gjë të tillë.

“Pra, Kryeministri, MPJD dhe Presidenti i Republikës sonë janë pajtuar që mos të angazhohen për njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sigurisht që pas këtij vendimi Serbia ndalë fushatën e vet, sepse nuk ka nevojë më të veprojë, të harxhojë energji e të bëj shpenzime, kur nuk ka çfarë të kundërshtojë, sepse Qeveria Hoti së bashku me Presidentin Thaçi kanë hequr dorë nga përpjekja për subjektivizimin e Republikës së Kosovës”, deklaroi tutje Kreshnik Ahmeti.

“Pas heqjes së reciprocitetit, kjo është goditja tjetër e rëndë që elitat e vjetra ia bëjnë vendit. Ky është sabotim i hapur i pozicionit negociues të Republikës së Kosovës para fillimit të dialogut me Serbinë. Me këto veprime dhe me një Qeveri të varur nga Lista Serbe, vendi nuk mund të përfitojë në dialogun që po përgatitet. Momentumi i përmendur aq shumë, është momentum për Serbinë, e jo për Republikën tonë”, thuhet në fund të reagimit të tij.

Sot, Richard Grenell njoftoi për rifillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.

Grenell: Kosova dhe Serbia takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë

www.kallxo.com