Ahmeti i kthehet punëve të komunës, paralajmëron shtrenjtim të parkingjeve në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është deklaruar për fluksin e veturave që hyjnë çdo ditë në Prishtinë si dhe ka paralajmëruar masa për reduktimin e qarkullimit të vozitësve që nuk janë banorë të lagjeve të kryeqytetit.

Përmes Facebook-ut Ahmeti ka bërë të ditur se mbi 100 mijë makina hyjnë në kryeqytet në rrugët hyrëse gjatë ditës.

Sipas tij, rrugët e ngushta të cilat nuk lejojnë zgjerim nuk mund të përballojnë këtë sasi të automjeteve.

“ Kohët më të ndjeshme janë mëngjesi për shkak të njerëzve që vijnë në punë dhe prej orës 16 – 18 kur largohen nga Prishtina.Unaza e qytetit do ta shkarkojë një pjesë të makinave që hyjnë tranzit por problemi kryesor mbetet numri i madh i makinave që hyjnë”, ka shkruari i pari i komunës.

Ahmeti ka paralajmëruar se nga viti i ardhshëm parkingu publik do të jetë i kufizuar si dhe parkimi në qendër të kryeqytetit do të shtrenjtohet.

“Prej janarit 2020, parkingu publik do të jetë i kufizuar 2 orë për ata që nuk janë banorë të lagjeve, prandaj ata që parkohen në qendër duhet të mendojnë më herët se ku do ta lënë makinën. Po ashtu, parkimi në qendër do të jetë më i shtrenjtë. Do të fillojmë ndërtimin e pesë Park and Ride parkingjeve në hyrje të qytetit”, thuhet në publikimin e Ahmetit.

Kryetari i Prishtinës ka premtuar investim në transportin publik.

“POR, në javët dhe muajt në vijim do ta shqyrtojmë seriozisht Congestion Charge në pjesët e ngarkuara të qytetit. Jemi duke shqyrtu që kjo të bëhet përmes kamerave smart që lexojnë tabelat. Kjo Taksë e ‘tollovisë’ bashkë me investimet tjera mund ta lehtësojë komunikacionin dhe zvogëlojë ndotjen në kryeqytet”, ka shkruar ai në Facebook.

Shpend Ahmeti i cili njëherësh është kryetar i PSD-së, nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit, proces në të cilin partia e tij ka garuar me një listë të përbashkët me Ramush Haradinajn.

PSD-ja ka arritur të ketë vetëm një deputete në Kuvend, Natyra Kuçin.

Ahmeti këtë vit përveç pozitës së kryetarit të Prishtinës, ishte angazhuar edhe si njëri prej kryesuesve të  Ekipit Negociator për bisedimet me Serbinë, delegacion ky që u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.