Imri Ahmeti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ahmeti i fton dy asamblistët që dhanë dorëheqje nga LVV-ja t'i bashkohen LDK-së

I pari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka ftuar Fitim Mziun dhe Fadil Spahiun, që t’i bashkohen partisë së tij, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Një ftesë e tillë erdhi pas dorëheqjes së Mziut dhe Spahiut nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sot, në mbledhjen e 11-të të Kuvendit Komunal të Lipjanit, këta dy të fundit u deklaruan zyrtarisht të pavarur.

“Nga sot jam zyrtarisht i pavarur, dua të theksoj se nuk do t’i përkas asnjë grupi” – u shpreh Mziu.

Menjëherë pas tij, Spahiu mori fjalën dhe njoftoi për vendimin e tij.

“Edhe unë ju njoftoj që nga sot nuk do të jem më asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje, do të jem i pavarur” – tha Spahiu.

Pas deklarimeve të tyre, kryetari Ahmeti pranë të gjithë të pranishmëve publikisht pati një ftesë për dy asamblistët që u deklaruan të pavarur.

“Po ju bëj thirrje publike, hajdeni në LDK, kurrkund nuk e keni ma mirë” – u shpreh Ahmeti.

Mirëpo, nga shefi i opozitës e asamblisti i LVV-së në Lipjan, Alban Salihu, erdhi një kërkesë tjetër.

Në emër të LVV-së, ai i kërkoi nga dy asamblistët që të dorëzojnë mandatin e tyre.

Një kërkesë e tillë erdhi nën arsyetimin se ata kanë qenë pjesë e listës së LVV-së.

Kësaj ftese negativisht iu përgjigjën që të dy, Mziu dhe Spahiu.

“Unë kam marrë vota nga LVV duke qenë i fundit në listë, numër 34, votat i kam marrë nga qytetarët” – tha Mziu.

E pas tij, edhe asamblisti Saphiu refuzoi që të dorëzojë kandidaturën e tij, duke thënë se një gjë e tillë do të mund të ndodhte nëse ai do ishte bartës i listës së LVV-së.

“Edhe unë mendoj që votat i kam marrë nga qytetarët, nëse kisha qenë bartës i listës e kisha dorëzu mandatin” – tha Spahiu.

Procesit të zgjedhjeve të brendshme të fundit në LVV i kishin paraprirë 4 dorëheqje nga kjo parti në Lipjan.

Përpos dorëheqjeve të asamblistëve, një veprim i tillë ishte marrë edhe nga dy anëtarët e grupit punues në qendrën e Vetëvendosjes në Lipjan, Shkëlzen Bislimi dhe Fitim Sopjani.

Dorëheqjet ishin bërë për shkak të pakënaqësive të tyre me degën në Lipjan.

Në një postim në Facebook, Bislimi kishte thënë se është sabotuar nga disa eksponentë të partisë së tij.

Ai kishte thënë se vendimin përfundimtar për largim e ka marrë pasi i është ndaluar të kandidojë si kryetar i qendrës.

“E vulën e padrejtësive brenda Lëvizjes Vetëvendosje e dhanë sot duke ma ndaluar kandidaturën për kryetar të Qendrës” – pati theksuar ai.

Pas Bislimit, i dyti që njoftoi për largimin e tij nga kjo parti ishte Fitim Sopjani, kryetar i LVV-së në pikën në Sllovi dhe anëtar i Grupit Punues Qendra në Lipjan.

“Pas zhvillimeve të fundit brenda procesit zgjedhor të LVV-së, kam kuptuar që Demokracia e shfaqur në publik, nuk paska qenë brenda strukturave, në momentin kur i rrezikohet pozita një individi ose grupacioni” – ishte shprehur ai.

Zgjedhjet e brendshme të LVV-së u mbajtën më 25 shtator 2022.

Në Qendrën e kësaj partie në Lipjan, kryetar u zgjodh Adnan Rrustemi, i cili njëkohësisht është edhe deputet nga radhet e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.

Kryetare e Gruas në Vetëvendosje në Lipjan u zgjodh Shahadije Dragaçina, e cila është edhe asambliste kurse kryetar i Rinisë së Vetëvendosjes u zgjodh Blerton Vehapi.