Ahmeti: E kemi ditë që kanë mu kallë pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak

Ish-komandanti i Shërbimit Policor të Kosovës, Sheremet Ahmeti ka thënë se kanë qenë të njoftuar se do të digjeshin pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Ai u shpreh se kanë kërkuar nga udhëheqësi i Policisë së UNMIK-ut që të mos lejojnë të ndodhin gjëra të tilla.

“Unë isha të kryeministri dhe tek zëvendëskryeministri zotëri Kuqi, atëherë kem kërkuar më këmbëngulje që policia e UNMIK-ut, njësia speciale e polakëve e cila ishte e vendosur në Mitrovicë të intervenojë dhe mos të lejojë të ndodhin gjëra të tilla. Ne nuk kemi mundur sepse ka qenë pjesë e angazhimit të tyre”, tha ai në emisionin “Kallxo Pernime”.

Ahmeti tha se nëse do të ndërhynin policët e UNMIK-ut ajo nuk do të ndodhte fare.

Sipas tij, udhëheqësi i Policisë së UNMIK-ut nuk e ka parë të nevojshme të angazhohet me njësitë në ato pika kufitare.

“Ne kemi qenë në takim te kryeministri Thaçi, sa ditë saktë nuk e di por e di që ka qenë para se të ndodhë dhe e kemi kërkuar nga komisari i policisë së UNMIK-ut dhe ai nuk e ka parë të nevojshme të angazhohet me njësitë atje sepse ne atë kohë kemi qenë me kapacitete të limituara”, u shpreh më tutje.

Ish-komandanti e kujton si një ndodhi të dhimbshme dhe shumë të rëndë dhe tha se nuk është pajtuar me atë se çfarë ka ndodhur.