
Kandidatja për deputete Mimoza Ahmetaj nga PDK. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Ahmetaj (PDK): Buxheti për Shëndetësinë do të dyfishohet, paga e mjekut do të rritet për 50%
Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mimoza Ahmetaj, në emisionin “Debat Përnime”, më 22.01.2025, ka deklaruar se një nga vendimet e para që do të bëjë PDK-ja – nëse vjen në pushtet – është rishikimi i buxhetit për Shëndetësinë, e më pas edhe dyfishimi i tij.
Ajo u zotua se dyfishim të buxhetit do të ketë edhe për Listën e barnave esenciale.
“Ne në start, me rishikimin e buxhetit për vitin 2025, menjëherë do ta rrisim buxhetin në mënyrë që sadopak të ndihmojmë qytetarët. Siç ka thënë kryeministri në ardhje, Bedri Hamza do ta dyfishojmë buxhetin për Shëndetësinë dhe do ta dyfishojmë buxhetin për Listën esenciale për barna.” – tha Ahmetaj.
Në kuadër të kësaj, PDK ka paraparë edhe rritjen e pagave për mjekët për 50%.
“Do të rrisim pagat për mjekët 50% në vitin e parë, në mënyrë që sadopak ta mundësojmë qëndrimin e tyre në Kosovë. Mos të jetë paga arsyeja, pse ata ikin nga vendi.” – tha Ahmetaj.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.
“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.
E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:
Planet e PDK-së: Digjitalizim e rritje pagash në shëndetësi dhe Memorial të Gjenocidit në Prishtinë