Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ahmetaj: Më 17 tetor, nuk do të mund të votohet në sallën "1 Tetori"

Burim Ahmetaj, kryeshef ekzekutiv i sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha se qendra e votimit në sallën “1 Tetori”, që aktualisht është qendër e vaksinimit që e shfrytëzon Ministria e Shëndetësisë, nuk do jetë në dispozicion për votuesit e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Ai tha se votuesit e kësaj qendreje, do të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit, në Fakultetin e Edukimit dhe depon e sallës së sporteve.

“Për KQZ-në në situatën aktuale është e pamundur që ky objekt të kthehet në shfrytëzim për ditën e zgjedhjeve dhe pas ditës së zgjedhjeve. Kemi kërkuar qendra në afërsi të këtij objekti. Kemi identifikuar Fakultetin e Edukimit dhe depon e sallës së sporteve. Si depo do të shfrytëzohet salla e sporteve të Fakultetit Fizik dhe Sportit. Për këtë ju kemi drejtuar me shkresë rektoratit për shfrytëzimin e objekteve vetëm në kohë zgjedhjeve”, tha Ahmetaj.

Ai gjithashtu ka njoftuar se pritet të filloj procedura e printimit të fletëvotimeve për kryetar komune dhe broshurave me emra të kandidatëve sipas subjekteve politike për secilën komunë.