Agron Maxhuni zgjidhet gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën e Mitrovicës, dega në Vushtrri
Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka zgjedhur gjyqtarin Agron Maxhuni si gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën e Mitrovicës, dega në Vushtrri.
Agron Maxhuni dhe Ferki Xhaferi ishin dy kandidatët e propozuar për gjyqtar mbikëqyrës të Gjykatës së Mitrovicës në degën në Vushtrri.
Në këtë garë nga 8 anëtarë sa votuan, Maxhuni mori votat e shtatë anëtarëve të KGjK-së.
Kurse kandidati për kryetar të Gjykatës së Prizrenit, Agron Hoxhaj, në mbledhjen e kaluar nuk i kishte marrë votat e mjaftueshme për tu zgjedhur kryetar.
Me këtë rast u miratua edhe Komisionit Vlerësues për Intervistim, Vlerësim dhe Rekomandimin e kandidatëve për pozitën e Kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren.
Bëjmë të ditur se gjatë mbledhjes se sotme, anëtarët e KGjK-së dhanë përkrahjen për realizimin e projektit të mbështetur nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatim të Ligjit (INL), që ofron mbështetjen financiare për audio-video incizimit të seancave gjyqësore nëpër Gjykatat tona.
Gjatë kësaj mbledhje anëtarët e KGjKs-së, shprehen shqetësimin e tyre lidhur me dështimin e seancave gjyqësore si rezultat i vendimit të Qeverisë që nuk lejon zhvillimin e takimeve në hapësira të mbyllura në numrin mbi 20 persona.
Sipas anëtarëve të KGjK-së, me mos mbajtjen e seancave po cenohen të drejtat bazë të të pandehurve, pasi që Konventa ndërkombëtare dhe Kodi i Procedurës Penale parashohin që rastet ndaj të pandehurve të trajtohen brenda një afati të arsyeshëm kohor.
Maxhuni më herët ka punuar si zyrtar për monitorim të shërbimeve komunale në Ministrinë e Shërbimeve Publike, avokat në Odën e Avokatëve, po ashtu ai ka qenë udhëheqës i Divizionit për zhvillim të legjislacionit në Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Drejtor i Departamentit Ligjor dhe Monitorim të Komunave në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, si dhe Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.