Agron Llugaliu pranon detyrën e drejtorit të Doganës

Agron Llugaliu ka pranuar sot detyrën e drejtorit të Doganës së Kosovës. Kjo detyrë iu dorëzua nga Ushtruësi i Detyrës, Bajram Rexha.

Drejtori i Doganës gjatë ceromonisë së dorëzim-pranimit të detyrës tha se synon të nxit eksportin dhe favorizimin e investimeve të huaja në Kosovë përmes sundimit të ligjit dhe ofrimin e shërbimeve të avancuara të zhdoganimit.

“Sot kam pranuar detyrën e cila nuk është privilegj, por përgjegjësi e madhe në drejtimin e doganës. Synoj që të reformojmë dhe modernizojmë strukturën dhe proceset e punës, me qëllim të orientimit të Doganës së Kosovës në shërbim të qytetarit dhe bizneseve të vendit, në veçanti për nxitje të eksportit dhe favorizim të investimeve të huaja, përmes sundimit të mirëfilltë të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve të avancuara të zhdoganimit. Në anën tjetër do të jemi të përkushtuar në evitimin e praktikave jo-profesionale dhe në luftimin e ekonomisë jo-formale”, tha ai.

Më 21 prill Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Agron Llugaliun, Drejtor të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës.

Kështu kishte bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media.

“Emërimi i Llugaliut pason përzgjedhjen nëpërmjet konkursit për drejtor të përgjithshëm të Doganës së Kosovës, në një proces transparent e profesional të monitoruar nga përfaqësuesit e Projektit Britanik për Rekrutime në Pozita të Larta Drejtuese”, thuhet në kumtesë.

Kurti emëroi drejtorin e ri të Doganës