Agron Kuçi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Agron Kuçi thotë se nuk e ka lexuar Raportin e Auditorit për komunën që ai udhëheqë

I ftuar sonte në emisionin “Jeta në Komunë” kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi ka thënë se nuk e ka lexuar Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2019 për Junikun.

“Nuk e di. Pasha zoti nuk e kam lexu. Nuk e kam lexu është bërë një lëshim”, ka thënë ai.

Raporti i Auditimit për Komunën e Junikut kishte gjetur se dy pagesa të larta dhe të pakuptimta janë kryer tek tenderi për ndërtimin e qendrës për Kulturë, Turizëm dhe Agrobiznes.

Shkelja e parë është evidentuar në vendosjen e tabelave sinjalizuese që paralajmërojnë rrezikun. Në çmimin e tenderit kompania projektuese kishte thënë se kjo punë do t’i kushtoj komunës 700 euro, e kur auditori i ka kontrollu ka dalë që kjo punë është paguar 20 mijë euro.

Kuçi ka thënë se është në dijeni të këtij rasti, por që është bërë një lëshim.

“Tash kompanitë kishin një formulë, çmimet e para po i qitshin të parat pastaj të tjerat të vogla për më fitu tenderat dhe kjo ishte arsyeja, sepse këta duhet me i marrë paret në fillim të projektit. Nuk e kam ditë as unë as zyrtarët e prokurimit. Këta po i kalkulojshin këto kompanitë”, tha Kuçi.