Agron Kuçi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Agron Kuçi përballet me punën e tij në Junik

Qyteza, simbol i të cilave janë kullat e natyra me potencial për turizëm po rrezikon betonizimin e Bjeshëve.

Juniku si komunë u krijua në procesin e decentralizimit në vitin 2007 ndërsa kompetencat e plota  iu dhanë më 2010. Për tre mandate rresht Juniku është qeverisur nga Agron Kuçi i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës.

Qyteti me rreth  6 mijë banorë ka probleme të theksuara me menaxhimin e mbeturinave , me Stacion të Autobusëve i cili është në gjendje të njejtë tash e disa vite  si dhe me mirëmbajtjen e varrezave.

Për të folur lidhur me këto probleme por edhe për premtimet e dhëna në Debat Pernime në vitin 2017, i ftuar në emisionin “ Jeta në Komuna” ishte i pari i Junikut, Agron Kuçi.

Të ftuar në këtë emision ishin edhe asamblistët Blerim Gacaferri nga Partia Demokratike e Kosovës, Flurim Shala nga Lëvizja Vetëvendosje, Behare Qestaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Tahir Isufaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Zenel Maloku, kanditat i pavarur.

 Përballja me Krypometrin

Në debatin “ Jeta në Komunë”, Agron Kuçi u ballafaqua me premtimet që ua kishte dhënë junikasve në vitin 2017 kur kërkonte votën e tyre edhe për një mandat tjetër.

I pari i Junikut kishte premtuar se në kabientin e tij qeverisës do të kishte së paku tre drejtori që do të udhëheqeshin nga gratë.

“Mendoj që minimumi do të jenë 3. Tre e përmi. Varet edhe prej thirrjes që e kanë kandidatët”, kishte thënë ai në Debat Pernime më 2017.

Një premtim të tillë Kuçi nuk e ka realizuar. Nga shtatë drejtori, vetëm dy  udhëhiqen nga gratë.

Me “ hetimet vazhdojë” i ka vlerësuar Krypometri premtimet e kryetarit të Junikut për ndërtimin e çerdhes dhe palestrës në Gjimnazin “ Kuvendi i Junkut”.

Rreth 6 mijë banorët e kësaj qyteteze nuk kanë çerdhe publiku por një klasë në shkollën ‘Edmond Hoxha’ funksionon si çerdhe.

 “Kemi ambientu një objekt që do të thotë që është në oborrin e shkollës fillore. Unë kam apliku në Komisonin Evropian, të gjitha fazat i kemi kalu, por kemi mbetur deri në fund të vitit do ta nënshkruajmë kontratën dhe do të fillojë objekti i ri”, ka thënë kryetari Kuçi gjatë emisionit, “ Jeta në Komunë”.

Ai ka premtuar se vitin tjetër do të fillojë edhe ndërtimi i palestrës sportive për Gjimnazin.

“Vitin tjetër fillon ndërtimi i palestrës sportive për shkollën e mesme. Palestër të edukatës fizike. Diku rreth 250 ulëse do t`i këtë”, ka shtuar ai.

Kryetari i komunës, Agron Kuçi, në debatin komunal përballë Jeta Xharrës në vitin 2017, kishte premtuar ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore ‘Edmond Hoxha’.

Objekti i shkollës, ” Edmond Hoxha”

Ndërtimi i këtij objekti ka filluar me 2 dhjetor të vitit 2019, por punimet janë ende duke vazhduar.

Komuna e Junikut ka hequr dorë nga ndërtimi i Stacionit të Autobusëve “modern” siç e kishte premtuar  në lokacionin që është aktualisht.

Kryetari  Kuçi ka thënë se kanë ndërruar mendje dhe se janë në kërkim të një destinacioni të ri për ndërtimin e tij.

“E kemi ndryshu mendjen. Nuk do të ndertojmë këtu. Do të kërkojmë lokacion të ri. Jemi në fazë të hulumtimit, kemi ndryshu mendje gjatë rrugës, këtu ku është do të mbetët hapësirë e gjelbër”, ka thënë ai gjatë debatit.

Debati me opozitën për Impiantin e ujërave të zeza

 Të ftuar në emisionin, “ Jeta në Komunë” ishin edhe disa nga asamblistët e Kuvendit Komunal të Junikut.

Temë e ashpër diskutimi në mes tyre dhe kryetarit, Agron Kuçi   ishte funksionalizimi i impiantit të ujërave të zeza.

“ (Impianti i Ujërave të zeza), pranverën e vitit të ardhshëm, do të funksionalizohet impianti bashkë me trafot e energjisë elektrike, sepse kërkon energji elektrike”, kishte thënë kryetari i Junikut në Debat Pernime më 2017.

Por, Flurim Shala nga VV-ja ka reaguar duke shtuar se impianti i ujërave të zeza “nuk punon dhe asnjëherë nuk ka punuar.“

Flurim Shala, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Para 11 vitesh e ke nis, sot nuk është i kryer, impiant që po e quan ky, gropën septike. Unë e kam larg prej shtëpisë 10 metra.  O zotni unë e kam 5-10 larg prej pronës teme. Nuk është kryer e ka dorëzu firma që e ka ndreq, por jo. Janë investu mbi një milion euro as sot nuk punon as kurrë asnjë minutë. Kurrë nuk ka funksionu. Ka thanë që ujin ka me e pi vet kryetari ”, ka thënë Shala.

Të njëjtin mendim si Shala pati edhe asamblisti i Lidhjës Demokratike të Kosovës, Tahir Isufaj.

Tahir Isufaj, LDK. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Nuk punon, nuk e di si ka mundësi Hidro – Drini me menaxhu kur nuk ka kontratë”, tha ai.

Ndërsa, Kryetari i Junikut tha se impianti i ujërave të zeza madje edhe kolektorët janë funksionalë.

“Impianti i ujërave të zeza është funksionalizu, kemi edhe kolektorin, të dy funksionojnë. Impianti është në vitin e parë të provimit. Projekt ka qenë i Komisionit Evropian. Hidro – Drini e menaxhon. Ka energjinë elektrike. Funksinon edhe ka punëtorë aty”, ka thënë ai.

 Mungesa e dezinfektuesve në shkollë dhe QKMF

Hapja  e shkollave në pjesën e dytë të shatorit për herë të parë pas mbylljes së tyre në mars, për shkak të pandemisë COVID-19 duket se është sfidë për autoritet komunale e ato qeveritare.

Masa kryesore mbrojtëse kundër këtij virusi është larja dhe dezinfektimi i duarve.

Por  ekipi  i KALLXO.com ka gjetur se në shkollën fillore dhe të mesme të ulët, “ Edmond Hoxha”në Junik gjendja e banjove nuk është e mirë.

Banjo kishte mungesë të çeshmës së ujit, sapunit e dezinfektuesve.

17__Gjendja-e-banjos-në-shkollën-fillore-‘Edmond-Hoxha

Kryetari i Junikut, Agron Kuçi u shpreh i habitur me pamjet, duke thënë se atij i është raportuar se gjendja e tualetëve është rregulluar.

Kuçi madje tha se do të ketë masa për një gjendje të tillë.

“Unë mendoj që është e momentit sepse ka sapun por në këtë moment nuk ka pasur. Nuk po muna me besu sepse kemi pasur edhe debat për këtë çështje sepse i kanë dhënë vërejtje me shkrim. Do të ketë masa. Nuk e di se çfarë ka ndodhur. Mua më është raportuar se është rregullu çdo gjë edhe çeshmet. Dikush ka me u thirrë në përgjegjësi”, ka thënë ai.

Një gjendje të ngjashme e kishte edhe Qendra e Mjekësisë Familjare në Junik.

 Ekipi i Kallxo.com e kishte vizituar edhe këtë qendër. 

Në fotot e realizuara më 31 gusht në banjot e kësaj QKMF-je nuk kishte pasur sapun, dezinfektues e as dritë.

Gjendja e banjos në QKMF, gusht 2020

Por më 20 tetor kur hulumtuesit e KALLXO.com e kishin vizituar përsëri, drita ishte rregulluar, sapun kishte por përsëri kishte mungesë të dezifektuesit.

Gjendja e banjos në QKMF, tetor 2020

 Betonizimi i Bjeshkëve të Junikut

Kuçi është përballur edhe  me shqetësimet e qytetarëve për betonizimin e Bjeshkëve të Junikut.

“Ne e kemi prit që ky punon më shumë, si pikë e parë kryetari është dashtë që me e mbrojtë këtë tokë, me i mbrojtë këto bjeshkë. Këto bjeshkë nuk duan blloka, cementë, por duan natyrë siç i ka falë Zoti”, ka thënë  Hysen Shehu, banor i Junikut në rubrikën “Zëri i qytetarëve”

Kuçi ka thënë se edhe ai është duke i parë me shqetësim ndërtimet në Bjeshkë, por që sipas tij nuk është kompetencë e komunës.

“Po e përcjelli me shqetësim sepse ka ndërtime që nuk është dasht me i bo sepse përgjegjësi eksluzive është e Drejtorisë së Parkut. Shtëpizat nuk kanë leje. Është kompetent parku. Kemi kërku t`i ndajmë zonat strikte. Kemi kërku që të ruhet e drejta tradicioanle e staneve e bagëtisë. Ne i kemi dërgu inspektorët i kemi dërgu të dhënat te drejtoria e parkut. Nuk e kanë aprovimin tim”, ka theksuar i pari i Junikut.

I pyetur nga Jeta Xharra në lidhje me listën e uzurpatorëve dhe kush janë ndërtuesit të cilët po e “prekin” bjeshkën, Kuçi ka hezituar të përmend emra.

“ Ne e kemi përgadit listën e uzurpatorëve dhe e kemi dorëzu në prokurori, kaq kemi mundur të bëjmë. Janë qytetarë të Junikut. Unë nuk jam marrë vesh me ndërtu. Nuk jam unë kompetent, por janë qytetarët e mi”, ka shtuar Kuçi.

 Shkeljet e gjetura në raportin e auditorit

 Komuna e Junikut është prej komunave të pakta që ka arritë të tejkalojë planin e të hyrave, duke mbledhur më shumë tatime sesa që kishte planifikuar për rreth 30%.

Përveç kësaj, kjo komunë në vitin 2019  ka shpenzuar 92% të buxhetit për investime kapitale.

 Në Junik,Raporti i Auditorit nga Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se dy pagesa të larta dhe të pakuptimta janë kryer tek tenderi për “ndërtimin e qendrës për Kulturë, Turizëm dhe Agrobiznes”.

 Shkelja e parë është evidentuar në vendosjen e tabelave sinjalizuese që paralajmërojnë rrezikun. Në çmimin e tenderit kompania projektuese kishte thënë se kjo punë do t’i kushtoj komunës 700 euro e kur auditori i ka kontrollu ka dalë që kjo punë është pagu 20 mijë euro.

 Në lidhje me këtë Kuçi ka thënë se është në dijeni, por që është bërë një lëshim.

 “Tash kompanitë kishin një formulë, çmimet e para po i qitshin të parat pastaj të tjerat të vogla për më fitu tenderat dhe kjo ishte arsyeja, sepse këta duhet me i marrë paret në fillim të projektit. Nuk e kam ditë as unë as zyrtarët e prokurimit. Këta po i kalkulojshin këto kompanitë”, tha Kuçi.

 Por i pyetur për shkeljen e dytë ku kompanisë së njejtë i ishin paguar shuma më të mëdha parash sesa që ishte planifikuar, Kryetari i Junikut tha se nuk e kishte lexuar Raportin e Auditorit dhe se kishte idenë për cilin rast po flitet.

 “Nuk e di. Pasha zoti nuk e kam lexu. Nuk e kam lexu është bërë një lëshim”, ka thënë ai.

Hulumtuesit e kallxo.com kishtin  gjetur se kompania që e ka fituar tenderin VB. TOFAJ dhe SH. Drini Company SH.P.K.” nuk ishte kompania më e lirë. Oferta e kësaj kompanie ishte 777 mijë euro, kompania tjetër që nuk e ka fituar tenderin,kompania “Pleqja” e kishte ofertën 559 mijë euro apo 218 mijë euro më të lirë.

 Problemi me mirëmbajtjen e varrezave dhe deponisë në Shkozë

Sfidë tjetër me të cilën ballafaqohen junikasit është edhe mirëmbajtja e varrezave. Në fotot që qytetarët i kanë dërguar në Kallxo.com shihet se gjendja e tyre nuk është e mirë.

Varrezat në lagjen ” Berisha”, Junik

Vendi që ka ndarë Komuna e Junikut për varreza, ende nuk ka përfunduar.

Kryetari i Junikut, Agron Kuçi në emisionin, “ Jeta në Komunë” tha se vendi i caktuar për varreza nuk po përdoret nga qytetarët.

Ai premtoi se brenda këtij viti pritet të përfundojnë të gjitha punimet për lokacionin e caktuar për to.

“ Është sfidë e përgjithshmë jo vetëm në një lagje. Është pakez sfideuse, qytetarët janë tradicional,  po hezitojnë të shkojnë atje ku i kemi ndërtu varrezat. Rrugën e kemi rregullu, asfalltin sivjet,  ujin këtë vit po ashtu , sivjet edhe  parkingu do të kryhet. Do të jetë shumë funksionale, vetëm pesë qytetarë janë varrosur në vendin e ri. Sivjet do të kryhet krejt”, tha ai.

Deponia e mbeturinave inerete në Shkozë e formuar me vendim të Kuvendit Komunal të Junikut po shfrytëzohet edhe për  hudhjen e mbeturinave të tjera të cilat po shpërndahen përgjatë rrugës.

Fotografitë tregojnë një gjendje shqetësuese të kësaj deponie.

Deponia në ‘Shkozë’

I pari i Junikut gjatë debatit ka thënë se ka kërkuar nga Komuna e Deçanit që kjo deponi të menaxhohet së bashku pasi që jo vetëm banorët e Junikut hudhin mbeturina në Shkozë.

“Ne e kemi ndarë këtë lokacion për mbeturina interte. Aty po i hudhin jo vetëm inerete por edhe materiale të tjera dhe jo veëm qytetarët e Junikut por edhe të Deçanit. Jemi ka e shikojmë mundësinë që në bashkëpunim me Deçanin ta menaxhojmë së bashku”, ka thënë ai.