Agron Demi për koalicionin AAK- PSD: Jepi krah të keqes

Analisti dhe ish- drejtori i Institutit GAP, Agron Demi, ka komentuar koalicionin e sotëm ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate.

Ai ka kujtuar fushatën e zgjedhjeve lokale dhe sloganin e Shpend Ahmetit, “Jepi Krah Prishtinës” me “Jepi Krah të Keqes”

Ai ka thënë se partia e Ramush Haradinaj e ka përmbyllur mandatin në mënyrën më të keqe.

“Natyrisht, ku ka ofertë më të mirë për votuesit se sa me u’a kërku votën për një parti e cila vetëm se përmbylli mandatin më të keq në historinë e zezë të qeverisjes”, tha ai në Facebook.

Demi ka renditur edhe disa prej, sipas tij, dëmeve që qeveria në krye me Haradinajn i kanë bërë gjatë mandatit të tij.

“Për PSD-në, nuk ka gajle që Haradinaj si udhëheqës i qeverisjes PAN këmbëngul me vazhdu projektin e dëmshëm me miliarda euro të termocentralit të ri, me i djeg/vjedh me miliarda euro në autostradën e re që kalon nëpër arat e Dukagjinit, me kërcënu gjykatës e prokurorë, me i fry listat e veteranëve, me i degradu të gjitha agjencionet e pavarura…e qindra të zeza tjera. Deri dje ‘figurë e krimit të organizuar’, sot partner”, deklaroi analisti kosovar.

“Në politikë nuk duhet me funksioni me logjikën e biznesit, me i pa partitë si “start-up”-s me qëllimin e vetëm me ju bashku blerësit me çmimin më të lartë”, tha në fund Agron Demi.

Ndryshe, sot partia e Ramush Haradinaj dhe ajo e Shpend Ahmetit kanë bashkuar forcat ne një koalicion parazgjedhor.

Kuvendi i Kosovës pritët të shpërndahet më 22 gusht.