Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës, Foto: AGK/Facebook

AGK themelon Rrjetin e Grave Gazetare të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka themeluar Rrjetin e Grave Gazetare të Kosovës.

Siç njofton AGK, ky vendim është marrë në bashkëpunim me 25 kolege gazetare dhe me organizata ndërkombëtare.

Bordi Këshilldhënës i Rrjetit të Grave Gazetare të Kosovës me përbërje të tri gazetareve është propozuar dhe votuar.

“Koleget prezente propozuan e votuan Bordin Këshillëdhënës të këtij Rrjeti, i cili ka në përbërje tri super gra të dëshmuara në gazetari si: Leonida Molliqaj – redaktore në QIKA, Gentiana Begolli Pustina –  udhëheqëse e Departamentit për Komunikim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në RTK,  si dhe gazetaren nga Klan Kosova, Qëndresa Tërshani” – thuhet në njoftimin e AGK, më 21.10.2024.

Mentorja e themelueseve të këtij Rrjeti, Masha Mileusniq ka ndarë përvojën e saj si mentore dhe ka folur më gjërësisht për rëndësinë dhe praktikat më të mira të funksionimit të rrjeteve të grave gazetare.

“Misioni i këtij Rrjeti është krijimi i një ambienti gjithëpërfshirës për gratë që punojnë në medie, parandalimin e përdorimit të gjuhës seksiste dhe mizogjene në diskurs publik, si dhe krijimi i një hapësirë të sigurt për adresimin e problemeve që hasin në vendin e punës apo gjatë punës në terren” – njofton AGK.

Me këtë rast, AGK ka inkurajuar të gjitha gratë që punojnë në sektorin medial që të anëtarësohen në këtë Rrjet, në mënyrë që të kontribuojnë sa më shumë në përmirësimin e pozitës së gruas në vendet e punës, por edhe në diskursin publik.

Si përfundim, AGK i ka falenderuar për kontributin e dhënë gazetaret prezente në takimin e parë të këtij Rrjeti, si dhe për mbështetjen e padiskutueshme të dhënë nga OJQ-të si: Misionin e OSBE-së në Kosovë, Bashkimin Europian në Kosovë dhe Institutin Demokratik Kombëtar (National Democratic Institute – NDI).